Histori

28 Qershor 2025 – 23 Vjet nga Rikthimi i Familjes Mbretërore në Atdhe

DJE U KTHYE NË ATDHE, SOT PRINCI LEKA II DUHET TË RIKTHEHET NË FRON SI E DREJTË DHE SHPRESË PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT

Sot, më 28 qershor 2025, përkujtojmë me krenari ditën historike të rikthimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në Atdhe, pas një mërgimi të gjatë e të dhimbshëm, të imponuar nga pushtimi dhe diktatura. Kanë kaluar plot 23 vite nga ai çast kur shpresa u ringjall për mijëra shqiptarë dhe flamuri i legalitetit u valëvit sërish në truallin amtar.

Pas pushtimit fashist të Shqipërisë në prill të vitit 1939, Familja Mbretërore, me vendim të Parlamentit Shqiptar të asaj kohe, u detyrua të largohej jashtë vendit. Me vendosjen e diktaturës komuniste, kjo largësi u kthye në një ekzil të zgjatur, ku Mbreti Zog I dhe më vonë Mbreti Leka I, vazhduan betejën e tyre për Shqipërinë e lirë dhe të bashkuar.

Në çdo vend ku qëndruan, ata përfaqësuan me dinjitet interesat e kombit shqiptar. Ata lobuan, ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare dhe mobilizuan mërgatën për të mos lejuar që zëri i Shqipërisë të shuhej. Ata kurrë nuk harruan Kosovën, Çamërinë dhe idealin e bashkimit kombëtar.

Diktatura u përpoq të fshihte gjithçka që lidhej me mbretërinë dhe dinastinë e Zogut, por nuk mundi kurrë të zhdukte kujtesën historike të një kombi që e dinte mirë se kush i kishte dhënë shtetësinë, institucionet dhe rendin.

Falë rezistencës shpirtërore të legalistëve dhe të gjithë shqiptarëve idealistë që besuan në filozofinë kombëtare të Legalitetit, u ruajt gjallë ëndrra e rikthimit. Dhe ajo u realizua më 28 qershor 2002 – dita e madhe kur Familja Mbretërore u kthye përfundimisht në atdhe.

Rrugët nga Rinasi deri në Tiranë u mbushën nga shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, që pritën me lot gëzimi Familjen Mbretërore. Ishte rikthimi i shpresës, i dinjitetit kombëtar dhe i së drejtës së mohuar për dekada.

Dëshira e Mbretëreshës Geraldinë u realizua: “Unë do të vdes si shqiptare, në tokën shqiptare, në mes shqiptarëve.”

Në atë ditë historike, Mbreti Leka I përcolli mesazhin e Tij të përjetshëm për popullin shqiptar:
“Paqe – Bashkim – Vëllazërim.”
Dhe falënderoi me përulësi popullin dhe shtetin shqiptar për këtë akt të drejtësisë historike.

Sot, pas 23 vitesh nga ajo ditë, është koha për një hap tjetër historik:

Historia nuk mund të fshihet, as të injorohet. Monarkia shqiptare ka qenë dhe mbetet një përvojë shtetformuese, moderne dhe evropiane për vendin tonë.

Sot, në një kohë pasigurie, krize besimi dhe përçarjeje, është detyrë kombëtare të rishikojmë rendin kushtetues dhe t’i japim fund padrejtësisë historike që i është bërë Familjes Mbretërore.

Nën moton e Mbretit Leka I:
“Paqe – Bashkim – Vëllazërim”,
thërrasim të gjithë shqiptarët, pa dallim bindjeje politike apo krahinore, të bashkohen rreth kësaj ideje legjitime dhe të domosdoshme për të ardhmen e vendit.

Zoti e bekoftë Familjen Mbretërore Shqiptare!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Me nderime,
Shpëtim AXHAMI
Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit
Tiranë, 28 Qershor 2025