Amerika kërkon zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi
Amerika kërkon zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe premton mbështetje…
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar Aktin e mbrojtjes kombëtare, që është miratuar në të dy dhomat e Kongresit amerik, e që kap shifrën e gati një trilion dollarësh. Në këtë Akt i kushtohet një vëmendje e posaçme edhe Ballkanit Perëndimor, respektivisht Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë dokument kërkohet nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023, e që parashikohet edhe me Marrëveshjen në Ohër.
Ky dokument “përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve”.
Marrëveshja Kosovë–Serbi, e cila përbëhet prej 11 nenesh, parashikon ndër tjerash edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë edhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Sipas këtij Akti, SHBA-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.
Në Dokument nënvizohet edhe “rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmohet angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon”. Amerika po ashtu premton edhe mbështetje në anëtarësimin në BE e NATO. Gjithashtu në këtë dokument flitet edhe për pasojat negative të varësisë nga Rusia, e që kryesisht ka të bëjë me faktorin serb në BP.
