Axhami: Regjimi komunist burgosi, internoi dhe pushkatoi qindra legalistë
Shpëtim Axhami: Nga shumë plagë që i janë shkaktuar kombit shqiptar, ato të komunizmit, pas instalimit me dhunë të tij në Nëntor të vitit 1944 drejt mbarimit të LDB, mbeten më të thellat, më të dhimbshmet dhe më të pandreqshmet.
Në këtë tablo të errët, çështja e “shitjes së fateve të Kosovës” nga ky regjim është një nga aktet më të rënda historike, një tradhti që vendosi interesa ideologjike dhe për pushtet mbi fatin kombëtar.
Po aq e rëndë ishte goditja dhe shpifja ndaj atij që ishte projektuesi dhe themeluesi i shtetit të parë modern shqiptat, ndalimi i Mbretit Zog I për të hyrë në Shqipëri.
Kjo ishte pjesë e një projekti ideologjik që synonte të shkëpuste kombin nga rrënjët e tij institucionale dhe historike.
Gjatë diktaturës, Shqipëria përjetoi:
-shkatërrimin e pronës private dhe ekonomisë kombëtare;
-eliminimin fizik dhe moral të elitave politike, ushtarake, fetare dhe intelektuale;
-goditjen e besimit dhe të vlerave tradicionale;
-izolimin më të egër në Europë;
-përndjekjen e mijra shqiptarëve dhe internimin e mijëra familjeve.
Në këtë kohë regjimi komunist burgosi, internoi dhe pushkatoi qindra legalistë, ballistë dhe nacionalistë duke mbytur me dhunë çdo lëvizje që kërkonte bashkimin kombëtar.
Komunizmi, me ideologjinë e tij antikombëtare, i la trashëgim Shqipërisë një shtet të dobët, një shoqëri të varfëruar dhe të shkatërruar nga çdo gjë të mirë që ajo trashigonte.
Sot, është detyrë morale dhe kombëtare që politika, akademia dhe opinioni publik të mos i lejojnë këto të vërteta të humbin në harresë.
E ardhmja e kombit nuk ndërtohet duke fshehur të kaluarën, por duke e thënë atë troç, me guxim dhe me përgjegjësi, që çdo padrejtësi të mos përsëritet më kurrë.
Kombi ka nevojë për dritë, jo për mjegull!
“Atdheu Mbi të Gjitha”
