Axhami: Shkodra, bastion i Mbretërisë, patriotizmit dhe i Zogizmit.
Kreu legalist, Shpëtim Axhami: Fjala e mbajtur sot në takimin e organizuar në qytetine Shkodrës!
Falenderime të përzemërta për të gjithë
pjesmërrësit!
I nderuar Naltësia Juaj Mbretërore, Princ i Kurorës, Leka II.
I nderuari z.Ted Kopliku.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Familjarë të atyre që për një shekull shkruan dhe bënë histori,
Drejtues e përfaqësues të Partisë Lëvizja e Legalitetit,
Miq të çmuar,
Sot kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të jem mes jush, në këtë qytet të bekuar nga historia, besimi dhe fisnikëria.
Ju falënderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen tuaj dhe për pritjen e ngrohtë që i jep kuptim dhe vlerë këtij takimi.

Pak muaj më parë, Shqipëria përkujtoi 100-vjetorin e “Triumfit të Legalitetit” – një nga momentet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
Për një shekull, që nga dhjetori i vitit 1924, breza të tërë legalistësh i kanë qëndruar besnikë filozofisë zogiste:
Për Komb dhe për Mbret, për Shtet dhe për troje të lira etnike!
Është detyrim moral dhe historik për ne, bijtë e tyre politikë e shpirtërorë, që të kujtojmë me respekt e mirënjohje të thellë ata që luftuan e sakrifikuan për këtë ideal.
Në këtë frymë, në bashkëpunim me Oborrin Mbretëror dhe Naltësinë e Tij, Princ Leka II, kemi ndërmarrë projektin kombëtar “Kthim tek rrënjët-Frymë Legaliste” per te kujtuar dhe vlerësuar s’bashku ajkën legaliste ne mbare Shqipnine!
Miq të dashur,
Nuk është rastësi që këtë nismë e nisim pikërisht në Shkodër.
Shkodra ka qenë dhe mbetet:
– vatër e fisnikërisë dhe e patriotizmit shqiptar;
– qendër e qëndresës kombëtare;
– dhe mbi të gjitha, bastion i Mbretërisë dhe i Zogizmit.
Këtu lindën e vepruan burra të mëdhenj që, në dhjetorin e vitit 1924, mundësuan “Triumfin e Legalitetit” duke mbështetur Ahmet Zogun për të marrë në dorë fatin e Shqipërisë.
Këtu u formuan njerëz që shërbyen me përkushtim në kohën e ndritur të Mbretërisë Shqiptare, nën drejtimin e Mbretit Zog I, për të ndërtuar shtetin shqiptar.
Dhe nga këtu dolën burra që gjatë Luftës së Dytë Botërore themeluan “Lëvizjen e Legalitetit” dhe luftuan për liri, bashkim kombëtar dhe mbrojtjen e sovranitetit shqiptar.
Nderim të veçantë për ata që, në mërgim ose në heshtjen e diktaturës komuniste, mbajtën gjallë idealet e monarkisë shqiptare.
Nderim dhe mirënjohje për ata që pas vitit 1991, në kohën e pluralizmit, vijuan me përkushtim rrugën e legalitetit dhe të rikthimit të formës mbretërore të qeverisjes.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ne duhet të jemi krenarë për historinë dhe origjinën tonë, por edhe më të vetëdijshëm për përgjegjësitë që mbajmë sot.
Shqipëria ka nevojë për një qasje të re, për besim dhe vizion.
Vetëm të bashkuar dhe me besim në Zot mund të ndryshojmë realitetin, që Shqipëria të mos shpopullohet, por të ringjallet;
që shoqëria të shëndoshet;
dhe rinia të gjejë shpresë në atdheun e vet.
Ne, që përfaqësojmë të djathtën tradicionale konservatore dhe nacionalizmin shqiptar, kemi detyrimin të punojmë më fort për familjen shqiptare, për kombin dhe për të ardhmen e rinisë.
Për të bërë të mundur rikthimin e sistemit mbretëror si garanci për stabilitet, unitet dhe zhvillim kombëtar.
Faleminderit për vëmendjen tuaj!
Zoti e bekoftë Shkodrën, Shqipërinë dhe shqiptarët!
Rroftë Princi i Kurorës, Leka II
Shkodër, më 25 Tetor 2025!
