AKTUALITET

Axhami: Shteti, zbuluar në situata emergjente!

Nga Shpëtim Axhami: Shteti, zbulluar në situata emergjente!

Çdo herë që vendi përballet me kushte atmosferike disi të përkeqësuara, Shqipëria vihet menjëherë në situata të jashtëzakonshme. Reshjet e shiut, bora apo erërat e forta mjaftojnë për të bllokuar akset rrugore, për të izoluar zona të tëra, për të ndërprerë qarkullimim apo energjinë elektrike dhe për të rrezikuar jetën e qytetarëve.

Kjo situatë, si kjo aktuale e këtyre ditëve, nuk është pasojë e motit, por e mungesës së shtetit, paaftësisë së qeverisjes dhe dështimit të plotë të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave civile. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të trajtohet si një vend i papërgatitur, ku çdo fenomen natyror shndërrohet në krizë kombëtare dhe qytetarët ngelen në mëshirë të fatit.

Pas më shumë se një dekade qeverisjeje, e vërejtur kjo edhe më parë, ende nuk ekziston një plan funksional parandalimi, një infrastrukturë rezistente dhe as koordinim real ndërinstitucional. Miliona euro janë shpërdoruar, ndërsa qytetarët lihen të vetëm përballë rrezikut, shteti ynë dorëzohet dhe kthen sytë për ndihmë nga vendet fqinjë, për helikopter, qen nuhatës, varka shpëtimi e deri tek çizme e kripë që po del e munguar!!!

Shteti nuk mund të shfaqet dhe egzistojë vetëm në propagandë dhe të zhduket, nuk egziston në momentet kritike ndërkohë që në këto momente duhet të tregoj se sa i fortë është ai në përballimin e këtyre situatave. Një shtet serioz matet në ditët e vështira, jo me fjalë boshe.

Prandaj kërkohet që në ditë të mira të mendojmë, marrim masa dhe të investohemi për të qenë serioz dhe të parapregatitur për çdo situatë emergjente dhe jo të kijtohemi kur vihemi përballë këtyre situatave….