AKTUALITETEKONOMI

Eurostat: Mbi gjysma e popullsisë nuk kanë para të mbyllin muajin

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, Shqipëria renditet e dyta në Europë për nivelin e varfërisë subjektive, pas Greqisë. Rreth 55% e shqiptarëve pohojnë se e përballojnë fundin e muajit ‘me vështirësi’ ose ‘me shumë vështirësi’, krahasuar me mesataren europiane prej vetëm 17.4%. Në rajon, ndjesi të ngjashme raportojnë 34% e serbëve, gjysma e malazezëve dhe maqedonasve.

Varfëria subjektive mat perceptimin personal të qytetarëve mbi aftësinë për të përballuar shpenzimet e përditshme, duke përfshirë të ardhurat, borxhet dhe shpenzimet, ndryshe nga varfëria relative që matet përmes të ardhurave mesatare. Në Shqipëri, diferenca midis varfërisë monetare zyrtare (19.2% në vitin 2024) dhe perceptimit të varfërisë (mbi 50%) është mbi 30 pikë përqindje, çka tregon një ndjesi të theksuar pasigurie ekonomike.

Treguesi i varfërisë dhe përjashtimit social përfshin 40.5% të popullsisë shqiptare, të cilët plotësojnë të paktën një nga kriteret: rrezik varfërie monetare, mungesa materiale/sociale ose punësim shumë të ulët. Në nivel europian, një në gjashtë qytetarë e percepton veten si të varfër, me nivelet më të larta në Greqi (66.8%), Bullgari (37.4%) dhe Sllovaki (28.7%), dhe më të ulëta në Holandë e Gjermani (7.3%). Gratë dhe të rinjtë janë më të ndjeshëm ndaj varfërisë subjektive. Eurostat thekson se ky tregues plotëson matjet tradicionale të varfërisë, duke reflektuar edhe pasiguritë që lidhen me çmimet, borxhet dhe standardet e jetesës.
.