AKTUALITET

Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Misionarëve të Dijes!

Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit!

Sot përulemi me respekt dhe mirënjohje ndaj atdhetarëve që kontribuan në kristalizimin e alfabetit të gjuhës shqipe, duke mundësuar që gjuha e nënës të shkruhej dhe të lexohej me krenari.

Respekt dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit që sakrifikuan për hapjen e shkollave shqipe në të gjitha trojet tona etnike dhe më gjerë, duke u siguruar që potenciali i secilit prej nesh të shndërrohet në dije për zhvillim, prosperitet dhe, mbi të gjitha, për vetëdije dhe krenari kombëtare.

Nderim për të gjithë mësuesit, të cilët, me përkushtim, dinjitet dhe krenari për misionin e tyre, asnjëherë nuk u dorëzuan, nuk u ankuan dhe nuk ndalën përpjekjet e tyre, edhe në momentet më të vështira të vendit. Ata, me sakrificë dhe dashuri, kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin edukatë, dije dhe kulturë brezave të rinj, duke ndërtuar themelet e së ardhmes sonë.

Për të gjithë mësuesit, kudo që janë, një urim i përzemërt:
Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Misionarëve të Dijes!