Jun 16, 2020

Adoleshenca e post-modernizmit Featured

Në vitin 1985, Kolegji i Francez i paraqiti Presidentit të Francës një raport me titull:”Propozime për arsimin e së ardhmes” I pari nga dhjetë parimet të cilëve duhet t’u nënshtrohet një shkollë moderne është formuluar kështu, nga ky institucion akademik më i larti në Francë: “Njesi e shkencës dhe shumësi e kulturave”. Një arsim i harmonishëm duhet të arrijë të pajtojë universalizmin që është inherent për mendimin shkencor, me atë relativizëm, që na mësojnë shkencat humane të vëmëndshme ndaj shumësisë së mënyrave të jetesës dhe dijeve të ndryshme kulturore.
Ajo që desha të evidentoj me këtë sentencë të Kolegjit të Francës, shumë kohë më parë, ka të bëjë me faktin e thjeshtë se rinia sot në botën e kulturuar po edukohet me një edukatë multikulturore, sepse e tillë është edhe bota që e pret të jetojë. Sot nuk jetojmë në një botë të mbyllur si më parë, sepse arti dhe shkenca, sikurse çdo e mirë tjetër i përkasin të gjithë botës dhe ne shqiptarët ndryshe nga më parë, nuk jemi më të ngujuar brenda vetes sonë.
Sot mendimi post-modern njësoj sikur iluminizmi kërkon ta bëjë njeriun të pavarur, ta trajtojë si person madhor, ose sikur të flasim me fjalët e Kantit, kërkon ta nxjerrë nga ajo gjëndje miturie për të cilën është vetë përgjegjës. Mirëpo problemi me të cilin u ndesh edhe vetë perëndimi ka të bëjë me faktin se kultura nuk u shikua si instrumenti i emancipimit, por si një nga instancat paternaliste që e pengojnë atë dhe armiku i kulturës mbetej përherë elitizmi.
Në të njëjtin gabim të bërë prej perëndimit vite më parë, po ecet edhe me metodologjinë e arsimit e cila po përdoret si eksperiment i dështuar nga Ministria jonë e Arsimit për edukimin e brezit të adoleshentëve.
Natyrish që jemi shumë besnikë dhe në asnjë rast ne nuk na shpëton ndonjë gabim i reformave të të huajve pa e zbatuar në vendin tonë.
Dështimi i turpshëm me tezat e maturantëve tregon qartë se si po përdhoset kultura e përditshme e cila ka zbritur në duartë e njeriut të rëndomtë, që po e zhvesh rininë nga vlerat e vërteta, të cilët guxojnë ta quajnë kulturën një mjet të thjeshtë për komunikim, si kënaqje impulsesh, dhe jo një qëllim të rëndësishëm të jetës së njeriut. Njëlloj sikur u veprua në kushtet e modernizmit kur veprat e mëdha të klasikëve bashkoheshin me serialet televizivë pa asnjë përmbajtje duke dhënë si argument faktin që jetojmë në kohën e feelings ku nuk ka as të vërtetë dhe as të gënjeshtër, as bukuri dhe as shëmti, por një pafundësi kënaqësish, të ndryshme dhe të barabarta, sikurse thuhej nga ideologët perëndimorë. Kur demokracia nënkuptonte hapjen e kulturës ndaj të gjithëve dhe si e drejtë e gjithësecilit për të zgjedhur kulturën e vet, ose për të quajtur kulturë, impulsin e tij të çastit. Ku njeriu është i lirë të bëjë me veten e tij çfarë të dojë, ku asnjë autoritet të mos mund të marrë nën tutelë sjelljen e tij. I lirë pra në atë kuptim që sipas Niçes, të mos skuqesh më nga vetja është shenjë e realizimit të lirisë, ku njeriu mund të braktisë gjithçka dhe t’ua lëshojë veten me ëndje pasioneve të çastit.
Nën këtë lloj filozofie duke post-modernizuar shkollën disa reformatorë në USA kërkuan mënyra për të afruar formimin kulturor me konsumin dhe mbi këtë në disa shkolla u arrit deri aty sa të mbështjellin gramatikën, historinë, matematikën dhe të gjithë lëndët themelore në një muzikë rock që nxënësit e dëgjonin me një walkman në vesh.
Tashmë është Big Brother që shërben si alibi dhe si argument për zhdukjen e kulturës edhe tek ne. Historia në tekset shkollore vazhdon të shikohet sipas së “vërtetës” që i pëlqen partisë në pushtet dhe si personalitete të kulturës, artit dhe të politikës, glorifikohen përsëri ishshërbëtorët e diktaturës, duke edukuar një brez mjeran dhe të përunjur, që do të shikojë të vërtetën dhe karierën përherë nën labirintet e nënshtrimit dhe të servilizmit ndaj pushtetit.
Mirëpo jeta na mëson se liria është e pamundur për të paditurin. Kështu mendonin së paku filozofët iluministë. Nuk mund të lindësh individ, thoshin ata, por mund të bëhesh i tillë, duke kapërcyer pështjellimin e dëshirave, ngushtësinë e interesit vetjak dhe tiraninë e ideve të huajtura.
Pra shkolla me të cilën ne sot po vazhdojmë të eksperimentojmë njësoj sikur në kohën e shkuar, ka lindur nga iluminizmi, ndërsa sot po vdes me vënien e tij në pikëpyetje. Me metodologjinë e dështuar që po përdorim për edukim, nuk kemi bërë gjë tjetër, veçse kemi hapur një humnerë të madhe morale, ndërmjet shkollës dhe vlerave të vërteta, që të rinjtë po kërkojnë me ngulm. Pra, të bësh atë që duhet bërë me shkollën, do të thotë të zhdukësh hendekun e thellë moral në dobi të shijes së adolëshentëve, t’u mësosh rininë të rinjve, në vend që t’i budallepsësh me teza idiote alla “Turi” pa kuptim.
Me shkollimin masiv sot ne harrojmë që të rinjtë kanë mundur të ndërtojnë një botë të vetën, si një pasqyrim i kundërt i vlerave të mjedisit të korruptuar që i kemi ndërtuar.
Sot stili adoleshent i jetës është bërë udhërrëfyes për tërësinë e shoqërisë. Moda kudo është rinore dhe në ditët tona të mbetesh i ri përbën imperativin ketegorik të të gjithë brezave. Të moshuarit nuk nderohen më për shkak të mënçurisë, sikurse në kohën e shkuar, por vetëm në qoftë se kanë ditur të mbeten të rinj nga shpirti dhe nga fiziku.
Pra nuk janë adoleshentët që për t’u arratisur nga bota që i rrethon strehohen në identitetin e tyre kolektiv, porse është vetë bota sot që po rend përhumbazi mbas adoleshencës dhe të mos harrojmë se kjo sot përbën revolucionin e madh kulturor të epokës post-moderne. Dikur të mohuar si popull të rinjtë po përpiqen të mohoen sot edhe si individë.
Por sikurse ndodh edhe në botë ata tashmë janë një bllok, monolit, një specie që kërkon me kuraje ndryshimin e botës.
Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…