Dec 11, 2020

Arben Brace. Referendumi e vetmja formë që mund të sjellë drejtësi. Featured

Plebishiti, i vetmi kusht, për një politikë demokratike
Botuar Gazeta Telegraf 11 Dhjetor 2020

Vendimi i fundit i autoriteteve të Bashkimit Europian, për bllokimin e procesit të integrimit me Shqipërinë, ishte shumë i rëndë për ata që drejtojnë politikën dhe përbën një kosto marramendëse, për të ardhmen e jetës publike.

Vendimi foli haptazi se në Shqipëri mungon diskutimi politik, ai nuk ekziston tashmë, është asgjesuar me vullnet vrastar për pushtet politik. Edhe kur nxitet ndonjë diskutim artificial, me njerëz të pamandatuar realisht në Kuvend, vendimi është marrë kohë më parë, në kulisa, në fshehtësi, sikurse ndodhi me vendimin e rëndësishëm të datës 05 Qershor, ku u injorua dakortësia e hartimit të kodit të ri elektoral, i cili është edhe një nga shkaqet kryesore që na lanë në klasë dhe na rendisin të fundit në Europë.

Edhe atë pak edukatë liberal demokratike, që kishim ndërtuar me shumë vështirësi këto vite, me mënyrën se si po veprojmë, duke ndryshuar kushtetutën në mënyrë të njëanëshme, pa përfillur argumentat e faktorit ndërkombëtar, rekomandimet profesionale të Komisionit të Venecias, për çështje shumë të rëndësishme, sikurse ligji elektoral, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse asgjesojmë politikën e dialogut dhe të konsensusit, duke e zëvendësuar atë me politikën anakronike të atij që drejton qeverinë, duke na çuar mbrapa aty ku ishim në kohën e unit vrastar.

Me këtë, nuk po bëjmë gjë tjetër, veçse po formojmë një komb pa asnjë edukatë politike, pa asnjë vullnet politik, të mësuar që “burri i shtetit” që qëndron në krye, të kujdeset për fatin e tyre dhe ata thjeshtë të duartrokasin për të entuziasmuar vanitetin e shefit. Natyrisht që politika bëhet nga njerzit, dhe se ata nuk bëjnë dot pa etjen për t’u dukur, dhe pa vanitetin, por ajo që po ndodh tek ne sot, ka të bëjë tërësisht me braktisjen e diskutimit politik, dhe fokusimin vetëm tek dukja dhe vaniteti i neveritshëm. “Menaxhuesi i ftohtë e ndoshta cinik i pushtetit, që përqëndron të gjitha, ose pothuaj të gjithë energjitë e tij, për të qëndruar, ose për të ardhur në pushtet, dhe që ia nënshtron të gjitha objektivat këtij qëllimi, saqë nuk është më e qartë se çfarë idesh përfaqëson, nuk bën në asnjë rast, atë që Maks Weber e quan politikë. Kush konsideron “muddle through” (të mbijetuarit me çdo mënyrë) si formën vetme të politikës…mallkimi i pavlefshmërisë do t’i rëndojë edhe mbi sukseset politike…” (M.Weber)

Në Shqipëri, edukata e diskutimit politik, këto tetë vitet e fundit, është asgjesuar tërësisht. Ajo që do të mbetet pas, do të jetë përsëri një publik pa interes politik, pa edukim politik. Modeli i unit, i shefit, që vendos për gjithçka dhe ka përqëndruar gjithçka në një dorë, është ngulur thëllë dhe do të kërkojë shumë luftë dhe forcë të shkulet tashmë.

Shefi, mbasi pushton partinë, asgjeson së pari inteligjencën dhe ata që mendojnë ndryshe brenda partisë, grumbullon pushtetin në një dorë të hekurt, dhe i hyn çmëndurisht rrugës së pafund të pangopësisë financiare, si ylli i lumturisë, së çdo kokëboshi në univers, një model i llahtarshëm, të cilin për fat të keq e kemi ngulur thellë edhe në shpirtin e brishtë të çdo të riu shqiptar.

Nën këtë model tmerri, një pjesë e të rinjve, nuk hyjnë në politikë me ndonjë lloj patosi, dhe për të sjellë ndryshimin e kërkuar, por thjeshtë për të “bërë para” në rrugën e ethshme të së cilës, asgjesojnë me vrullin e tyre edhe ata pak idealistë që i zënë rrugën.

Pothuaj asnjë ligj i ri, për gjëra shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, nuk mban konsentin e opozitës reale, por as atë të shoqërisë civile e cila nuk ekziston, është asgjesuar që në krye, ose është shitur në tregun e lirë të kotësive të pushtetit dhe vërtitet neveritshëm, duke bërë herë indiferentin infantil, dhe hërë më keq akoma, lëpirësin e prapanicës së ndyrë të pushtetit.

Asnjë ligj me rëndësi të posaçme për jetën e vendit, duke filluar nga reforma ne drejtesi, që kaloi në mënyrë të sforcuar, ligjin për arsimin e lartë, ligji për pronat dhe asetet publike, ligji për koncesionet dhe PPP, inceneratoreve, dhe së fundmi kodin elektoral dhe pa cak, të gjitha ndryshimet ligjore të këtyre tetë viteve, kanë kaluar pa proces dialogu, dhe në asnjë rast, me minikonsentin e opozitës, dhe të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, duke na vërtetuar qartë se në Shqipëri është asgjesuar dialogu politik dhe jemi kthyer automatikisht në monizëm partiak, ndërsa pluralizmi ekziton si farsë vetëm në kushtetutë.

Logjikisht të gjitha ligjet që kalojnë në këto forma janë të pavlefshme, nuk sjellin asnjë impakt pozitiv në shoqëri dhe ne nuk bëmë gjë tjetër, veçse endim pambarim pëlhurën e Penelopës…

Çdo përfaqësues i ri politik, që do të mandatohet nga vota e ndershme popullore, të parin veprim që duhet të ndërmarrë, duhet të jetë fshirja e të gjithë ligjeve që janë hartuar gjatë kësaj periudhe si ligje që mbrojnë vetëm interesat e klientelës, që shkojnë në mbrojtjen e interesave të një grushti oligarkësh, dhe në asnjë rast në interes të publikut.

Për periudhën, deri në formimin e qeverisë së ardhshme, por sidomos, në rast të një krize të rëndë politike postzgjedhore, e cila nga mënyra se si kemi proceduar me ligjin zgjedhor, padyshim që do të ndodhë, është e domosdoshme, si një kusht i vetëm, për të dalë nga kjo krizë, miratimin e një ligji të saktë, për plebishitet dhe referendumet, me qëllimin e ushtrimit të demokracisë direkte, për shkak të asgjesimit të dialogut politik, i cili e ka bllokuar jetën politike normale.

Një projektligj i tillë, sot pret radhën për miratim në Kuvend, dhe kushedi se kur do të ketë fatin të kalojë, në burokracitë dhe në hullitë e paudhësive ku ka hyrë Kuvendi Shqiptar, që i jep prioritet, vetëm ligjeve të klientelës dhe atyre që i zgjatin jetën pushtetit.

Mbas zgjedhjeve të 25 Prillit të vitit të ardhshëm, të cilat do të jenë të kontestueshme dhe padyshim të grabitura nga mënyra e njëanëshme sikurse ka vepruar qeveria, njerzit do të jenë të irrituar, të fyer, të tronditur, të pafuqishëm të ndjekin akoma nga pas “profetët e lumturisë” dhe të mashtrohen përsëri nga demagogë të kualifikuar dhe tashmë të superpasuruar. Pra, në këtë kohë, kur njerzit kanë humbur çdo besim, dhe se do të mund të arrijnë të ndryshojnë diçka, vetëm plebishiti mund të inkurajojë demokracinë dhe t’i shërbejë rivendosjes së politikës.

Aty ku humbet tërësisht besimi tek partia që qeveris, duhen gjetur rrugë për formimin e vullnetit, dhe vetëm organizimi i plebishiteve dhe referendumeve popullore mund të shmangë krizën. Qeveria që kryeson, dhe që ka futur, të gjithë pushtetet në duar, nuk ka pse të shqetësohet për ekzistencën e tyre.

Presidenti i Republikës, me një instikt të hollë politik, e ka parashikuar shumë më mirë se kushdo tjetër këtë, duke e parë si të vetmen rrugëdalje nga kriza, për shpëtimin njëkohësisht, edhe nga kthetrat e korrupsionit.
Aty ku besimi politik ka humbur tërësisht, e vetmja mënyrë për të vazhduar, është drejtimi në subpolitikë, pra në shtresat e qytetarëve të interesuar për një politikë demokratike.

Nëpërmjet plebishitit dhe referendumit, këtij instrumenti të demokracisë, sovrani ka të drejtën, që në rast nevoje, të shprehet dhe të vendosë kundër parlamentit dhe qeverisë, pa përfillur institucionet, duke i bërë partitë të turpërohen.
Arben Braçe,
10 Dhjetor 2020
Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…