Mar 14, 2021

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit z.Shpëtim AXHAMI prezanton kandidatin për deputet z.Petrit DODA-Qarkun Tiranë. Featured

Pas nënshkrimit të koalicionit me PD dhe zyrtarizimit të kandidaturave, legalistët nuk kanë kohë të humbasin, por të motivuar dhe të angazhuar për të patur një rezultat historik, kanë hartuar një strategji që synon maksimalizimin e votës, duke intensifikuar takime dhe bashkëbisedime me qytetarë, anëtarë, mbështetës dhe simpatizantë të kësaj force politike.

Ditën e sotme, përfaqësuesit e kësaj partie, nën drejtimin e kreut të saj Shpetim Axhami, kanë prezantuar kandidatin e saj për qarkun e Tiranës, biznesmenin e suksesshëm Petrit Doda, i cili vjen në këtë kandidim me ambicie të mëdha, për të fituar mandatin e tij në këtë qark si përfaqësues i legalistëve shqiptarë.

Në takimin e sotëm, kreu Axhami, pasi shpalosi para mbështetësve të tij, objektivat e legalitetit dhe përshëndeti marrëveshjen e arritur me liderin demokrat Lulzim Basha, duke kandiduar nën siglën e Aleancës për Ndrsyshim, bëri një prezantim të kandidatit Petrit Doda, të cilin e konsideroi një kandidaturë të denjë dhe një potencial të aftë për të përfaqësuar vokacionin e elektoratit legalist në Kuvendin e Shqipërisë.

Kandidati Doda, përmes fjalëve të tij, siguroi mbështetësit e kësaj partie, se vjen në këtë kandidim me një objektiv të qartë: përfaqësimin e Legalitetit me mandat në tempullin e demokracisë, si dhe u premtoi atyre se do të jetë zëri i tyre.

Qytetarë dhe simpatizantë të shumtë në takim, krahas mbështetjes së tyre për biznesmenin Doda, u shprehën të bindur se koalicioni opozitar do të jetë fitues në zgjedhejt e 25 prillit, si dhe entuziastë për vlerat e legalistëve si pjesë e përfaqësimit në listat e koalicionit.

Partia e Lëvizja e Legalitetit, kohët e fundit po dëshmon se është rikthyer fuqishëm në skenën politike, duke qenë kështu një formacion politik i mirorganizuar dhe i mirëstrukturuar me degë të shtrira në të gjithë territorin e Republikës, si dhe me drejtues të zellshëm që aspirojnë principet themelore mbi të cilat fokusohet doktrina legaliste.

Ndërsa bisnesmeni i njohur Petrit Doda, që kandidon në qarkun e Tiranës, nën siglën e koalicionit Aleanca për Ndryshim, por që përfaqëson legalistët, ka një reputacion mjaft pozitiv dhe mbështetje të madhe në komunitete të ndryshme.

 

 

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…