POLITIKË

“Me besimin te Zoti, familja dhe Athdeu”, Aulon Kalaja: Përpara se të fitoj votën, dua të fitoj zemrën tuaj!

Unë jam nga Fushë-Kruja!

Askurrë nuk e kam mohuar këtë. Ky qytet më përgatiti, më dha nder. Sot jam unë ai që do ia kthej nderin. Kjo nuk është qoka e rradhës, por qëndrimi im ndaj shprehjes së një prej presidentëve më madhështor të Amerikës, Xhon Kenedi që tha, “Mos pyet se çfarë bëri vendi yt për ty, por çfarë bëre ti për vendin tënd!”

Prandaj me përulësi krenare, kërkoj besimin e njerëzve. Përpara se të fitoj votën, dua të fitoj zemrën tuaj!

Po, çfarë kam bërë unë për zonën time?!
Nuk do përmend shumë dhe do e le mënjanë modestinë, se ajo është mendjemadhësia më e madhe. Kur vendi im u gjunjëzua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, me bashkëpunëtorët e mi, çelëm një qendër vullnetare dhe shërbyem për 90 ditë, fillimisht në Thumanë dhe Bubq, për familjet që humbën njerëzit dhe iu shembën shtëpitë nga tërmeti. Shpërndamë ndihma, veshmbathje, hapëm mensë, çuam sende shtëpiake dhe gjithçka tjetër që banorët kishin nevojë. Apo edhe pakot ushqimore që kemi dërguar për banorët e prekur nga tërmeti dhe pandemia në Krujë. Dhe ju e dini që nuk kisha asnjë madat për t’a bërë këtë, imagjinoni sikur t’a kem, se çfarë mund të bëj!

Po, çfarë kam bërë unë për zonën time?!
Kur Fushë-Kruja, Murqina, Bilaji dhe Derveni përmbytej sistematikisht, besoj se ata banorë, e kanë ndjerë dorën time, me kamionat e ndihmave që i mblodha me zell të madh tek miqtë dhe i solla, për ata që kishin nevojë, qoftë dhe për një batanije. Edhe këtë pa mandat e bëra.

Po, çfarë kam bërë unë për Qarkun tim?! Beteja ime dhe bashkëpunëtorëve, kundër projektit “Veliera” që shkatërroi arkeologjinë e Durrësit tek “Torra Veneciane”, si në protesta dhe gjykata duhet kujtuar si sukses i një grushti qytetarësh, përballë betonizimit. Apo përplasja me Alabar, për grabitjen e Portit të Durrësit, me shprehjen e fashme në duart tona “Hands of Durrës harbor”. Edhe këto pa mandat e bëra.

Po prindërit e mi?!
Babai im Ylli Kalaja, kompozitor dhe mamaja ime Rakipe Karaj, soprano, sa talente kanë nxjerrë nga Fushë-Kruja, Kruja, Thumana, Nikla, Bubqi dhe Cudhini?! A janë ato breza që kanë nderuar skenat kombëtare dhe ndërkombëtare?!

Unë kam dhe një detyrë tjetër në raport me qytetin tim!
Na kanë cilësuar rëndom në media, se ne jemi qyteti i tritolit dhe se tek ne fshihen duart e vrasjeve më të bujshme të Shqipërisë. Unë mendoj se Fushë-Kruja është një qytet i keqkuptuar! Po se si do të kishte mundësi që këtë qytet e vizitoi Presidenti i ShBA Xhorxh W Bush dhe Papa i Vatikanit?! Si ka mundësi që në këtë qytet lokalizohet vendbanimi i hershëm antik dhe autentik ilir, Albanopolis, nga ku ne kemi marë emrin që sot njihemi ndërkombëtarisht ALBANIA.
Ja pra se kush është Fushë-Kruja e vërtetë, por varet se çfarë gërvisht!

Së fundmi!
Po çfarë kam bërë unë për atdheun tim?!
Kam bërë pak. Do duhej të kisha bërë më shumë. Do bëj më shumë! Me ose pa mandat. Ja pra, që nuk mund të presësh mandate për të bërë gjëra. Thjesht duhet t’i bësh ato.
Dhe mos harroni se unë kam qënë jam dhe do jem një djalë i HAPUR. Nuk kam qënë, nuk jam dhe nuk do jem një djalë i MBYLLUR.

Me besimin tek Zoti, Familja dhe Kombi! Fitore.

Sinqerisht Aulon Kalaja