AKTUALITETPOLITIKË

Nderimi i evner hoxhës/ PLL: E TURPSHME, E RREZIKSHME DHE PROVOKUESE!

E TURPSHME, E RREZIKSHME DHE PROVOKUESE!
DEKLARATË PËR SHTYP
Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL)
Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh indinjatën e thellë për veprimin e Institutit Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka bërë publikë emrat e personaliteteve që do të nderohen gjatë muajit tetor, duke përfshirë në këtë listë ish-diktatorin komunist Enver Hoxha.
Përfshirja e tij përkrah figurave të mëdha të historisë shqiptare dhe cilësimi si “Udhëheqës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste” është një akt i turpshëm, i rrezikshëm dhe thellësisht provokues.
E turpshme, sepse ndërkohë që në vendet demokratike të Europës komunizmi dhe krimet e tij janë dënuar me ligj, në Shqipëri ndodh e kundërta, simbolet e diktaturës dhe vetë diktatori po rehabilitohen hapur, madje në institucione shtetërore që duhet të mishërojnë frymën demokratike dhe respektin për viktimat e terrorit komunist.
E rrezikshme, sepse çdo tentativë për të zbukuruar të kaluarën komuniste apo për të rishkruar historinë, ringjall mendësitë totalitare që kanë shkatërruar demokracinë dhe kanë mbajtur peng zhvillimin e vendit.
Trashëgimtarët politikë e ideologjikë të komunizmit, sapo gjejnë hapësirë, përpiqen të rikthejnë hijet e së kaluarës, për ta shndërruar sërish shoqërinë në një shtrat autokracie.
Provokuese, sepse përbën fyerje të rëndë ndaj kujtesës së mijëra shqiptarëve të vrarë, burgosur, internuar e persekutuar nga regjimi komunist.
Ata nuk kërkuan kurrë hakmarrje — kërkuan vetëm drejtësi, drejtësi që ende nuk është bërë.
Nderimi i diktatorit është një provokim ndaj sakrificës së tyre dhe një plagë e re për ndërgjegjen kombëtare.
Historia nuk mund të rishkruhet sipas dëshirës së ideologëve të djeshëm.
Kujtesa kombëtare nuk mund të përdhunohet në emër të “barazimit” apo “interpretimit të ri”.
Diktatura nuk mund të ketë vend në panteonin e nderit kombëtar!
Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë dhe drejtuesit e tij që të distancohen menjëherë nga ky akt i papërgjegjshëm, të korrigjojnë këtë shkelje morale e institucionale dhe të tregojnë se Shqipëria nuk nderon diktatorët, por viktimat dhe heronjtë e vërtetë të lirisë
Tiranë, më 6 tetor 2025