Ngerçi politik në Kosovë, kryelegalisti Axhami thirrje partive kryesore për stabilizimin e situatës
PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT
Partia Lëvizja e Legalitetit po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës, të cilat lidhen me pamundësinë për të konstituar institucionet e reja që rrjedhin nga vullneti i shprehur i qytetarëve në zgjedhje.
Ky ngërç institucional dhe bllokimi i vullnetit të votuesve përbën një situatë jo normale dhe të dëmshme, e cila jo vetëm që dëmton interesin qytetar dhe të ardhmen demokratike të Kosovës, por edhe rrezikon të zbehë imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.
Partia Lëvizja e Legalitetit u bën thirrje partive politike kryesore në Kosovë VV, PDK, LDK dhe AAK, që të tregojnë përgjegjshmëri kombëtare dhe politike, të kapërcejnë interesat e ngushta dhe të angazhohen seriozisht për zgjidhjen e kësaj krize institucionale.
Zgjidhja e kësaj krize nuk është vetëm një domosdoshmëri politike, por edhe një detyrim ndaj qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Çdo vonesë e mëtejshme mund të ketë pasoja serioze në planin gjeopolitik rajonal dhe më gjerë.