Partia Lëvizja e Legalitetit: Dënojmë me forcë thirrjet antishqiptare në Maqedoninë e Veriut!
Dënojmë me forcë thirrjet antishqiptare në Maqedoninë e Veriut!
PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT
Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh indinjatën dhe dënimin më të ashpër ndaj thirrjeve provokues dhe nxitëse të urrejtjes etnike, të përdorura në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” etj që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë europiane, thirrje të cilat përbëjnë një akt të rëndë dhe të pa tolerueshëm në një shoqëri që synon integrimin evropian dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Këto mesazhe përçajnë, frikësojnë dhe nxisin dhunë e urretje. Ato janë një kërcënim serioz ndaj bashkëjetesës, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
PLL kërkon një reagim të menjëhershëm nga autoritetet dhe insritucionet ligjzbatuese maqedonase me qëllim të identifikojnë dhe të ndëshkojnë përgjegjësit dhe këdo tjetër që nxisin dhe stimulojnë akte të tilla. Heshtja apo tolerimi i kësaj gjuhe është bashkëpërgjegjësi.
Gjithashtu, bëjmë thirrje për angazhim të përbashkët të faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, si pjesë themelore e shtetformimit dhe demokracisë në atë vend. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre, kontribuues në paqe dhe zhvillim. Asnjë thirrje urrejtjeje nuk mund ta zbehë këtë të vërtetë historike dhe morale.
Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe u kujtojmë të gjithëve se:
Liria, dinjiteti dhe siguria e çdo shqiptari janë të panegociueshme.
Zyra e Shtypit
Partia Lëvizja e Legalitetit
