KOSOVA

Përfundon periudha tranzitore për dinarin, nga sot euro valuta e vetme për transaksione në Kosovë

Duke nisur nga sot, euro do të jetë valuta e vetme për transaksione në Kosovë, pasi periudha tranzitore e Bankës Qendrore të Kosovës ka përfunduar. Nga kjo e hënë do të hyjë në fuqi rregullorja e re.

E diela ka qenë dita e fundit e periudhës tranzitore të Bankës Qendrore për çështjen e dinarit.

Në kuadër të kësaj periudhe, nuk janë shqiptuar masa ndëshkuese, por janë ofruar informacione për qytetarët rreth zbatimit të rregullores për pagesa me para të gatshme.

Ndërsa, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

Pas 12 majit të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë duhet të bëhen me euro.

“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, citohet në rregulloren e BQK-së.

Zbatimi i rregullores sidomos në veri të vendit vlerësohet se mund të jetë sfidues.

Lidhur me këtë çështje ka folur sot kryeministri Albin Kurti.

Kurti tha se kjo rregullore e ka qëllim ligjshmërinë, jo ndëshkimin e dënimin.

“Banka Qendrore e Republikë së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese”.

Ai përsëriti se rregullorja e Bankës Qendrore nuk është kundër dinarit, por është për euron si i vetmi mjet pagese në Kosovë.

Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave.

Ky vendim që muaj më parë nxiti debate të ashpra, madje në Bruksel u organizuan takime të veçanta mes palëve për të gjetur një rrugë nga ajo që quhej bllokadë për pagesa për serbët në Kosovë.

Pikërisht për gjetjen e kësaj zgjidhje gjatë javës që po vjen në Bruksel do të zhvillohet takimi i shtatë më radhë, pasi që gjashtë para tij nuk sollën rezultate.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e Rregullores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për popullsinë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që preket nga vendimi. Serbët në Kosovë, për vite të tëra kanë pranuar para kesh me dinarë nga buxheti i Serbisë.