PLL propozon rikthimin e Xhandarmarisë
DEKLARATË PËR MEDIAN
Partia Lëvija e Legalitetit
Për Partinë Lëvizja e Legalitetit,
Ngjarja e rëndë e ndodhur në Elbasan, në vazhdim të ngjarjeve të tilla ndodhur herë pas here, tregon edhe një herë se kriminaliteti në vend ka dalë jashtë kontrollit. Jeta e qytetarëve po bëhet objekt tregtimi nga grupe kriminale dhe porositës vrasjesh, ndërsa institucionet e ngarkuara me garantimin e sigurisë po dështojnë çdo ditë e më tepër, Qytetarët jetojnë nën ankth, ndërsa strukturat e rendit shfaqen të vonuara, të papërgatitura dhe pa autoritet.
Krimi nuk luftohet me deklarata, por me veprim, me reforma të thella dhe me një vullnet të palëkundur politik.
Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon urgjentisht:
-Hartimin e një strategjie kombëtare të sigurisë, të koordinuar institucionalisht dhe të mbështetur mbi profesionalizëm maksimal, pajisje moderne, teknologji bashkëkohore, inteligjencë operative dhe asistencë ndërkombëtare, pa kursyer asnjë mjet për garantimin e rendit publik.
-Hetim të thelluar, të pavarur dhe të koordinuar mes të gjitha institucioneve përgjegjëse për rendin dhe sigurinë, me fokus ndaj grupeve kriminale, lidhjeve të tyre me segmente të politikës dhe me drejtues institucionesh. Shteti, qeveria dhe politika duhet të shkëputen njëherë e përgjithmonë nga simbioza e sotme e turpshme me krimin.
-Rikthimin e besimit të qytetarëve te shteti, përmes garantimit real të rendit dhe sigurisë, reagimit të menjëhershëm të strukturave dhe rivendosjes së autoritetit ligjor.
-PLL propozon rikthimin e Xhandarmarisë Kombëtare si një model efektiv organizimi policor në territor.
-Rritjen e vlerësimit dhe mbrojtjes së punonjësve të rendit, veçanërisht atyre që përballen drejtpërdrejt me krimin. Kjo kërkon një status të veçantë, që siguron mbështetje të plotë, trajtim dinjitoz dhe mbrojtje për vetë efektivin dhe familjen e tij.
Shqipëria ka sot më shumë se kurrë nevojë për një shtet të fortë, të drejtë dhe të aftë të mbrojë jetën e qytetarëve të saj. Siguria nuk është luks është detyrim kombëtar.
Partia Lëvizja e Legalitetit qëndron gjithmonë në krah qytetarëve dhe kërkon përgjegjësi, jo justifikime.
