AKTUALITET

Rezistenca antifashiste e faktuar nga xhandari i Zogut, lumjani Qazim Ahmet Onuzi, pavarësisht çdo të papriture dhe çdo rrethane

Në 86 vjetorin e rezistencës antifashiste të 7 Prillit të 1939-s…
Ditari i një xhandari të Zogut, lumjanit QAZIM AHMET ONUZI, prej fshatit Nangë, për 7 Prillin e v. 1939 Ndoshta, shënimet ma interesante t’asaj dite, t’ekspozueme deri më sot. Ky xhandar shembullor nuk harron të shënojë se ia doli që, edhe pse i plagosur, para se të shtrohej në spital, atë pak armatim që i kish mbetur, ta dorëzojë në Komandën e P, të Gjindarmarisë në Tiranë.
Shënimet e Qazim M. Onuzit, prej katundit Nangë, nji prej 2 lumjanëve në frontin e rezistencës antifashiste. Por, një vit e një muaj e shtatë ditë para se të vdiste iu ndërpre edhe pensioni si invalid lufte. (Sipas shënimeve të tij: “Kam marrë pension si invalid lufte deri në fund të vitit 1955”)
***
Është një rrëfim i një post-komandanti të dëshpëruar (krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar të shkruhet përgjithësisht për atë ngjarje, ku rezistenca e qëndrestarëve realë është anashkaluar), të cilin, bashkë me kolegët e tij, eprorët e vendosin në fushën e betejës, por që në mëngjesin e trishtë të 7 Prillit kur “filloi lufta egërsisht”, ai sheh një togkomandant që braktis frontin me dy skuadra, duke lënë shumë gjëra në mëshirë të fatit (“… Pra, sa filloi lufta, iku me dy skuadrat, të parën e të tretën, tue na u largue me kta edhe disa gjindarmë të skuadrës t’ime, ku unë, simbas urdhnit që mvesh ushtarakun, mbajta vendin e caktuem”).
DËSHMIA E QAZIM M. ONUZIT PËR 7 PRILLIN E 1939-s
***
Në Bilisht, me datën 2 Prill 1939, na u njoftue prej eprorëve tonë për rregullimin e veshmbathjes, pse gjoja do të shkojmë në Tiranë me festue dit-lindjen e trashigimtarit të Zogut, “Skënder”, mirëpo ndonse edhe eprorët a do të kishin dijeni apo jo mbi çeshtjen që kërcnohesh.
Kurse, mbas dy ditësh u informuem indirekt se nuk ish për lindjen e Princit, por edhe sepse nuk kishim dijeni, e kshtu me 5 Prill në mesditë, vetë i tetmbëdhjeti, me shpejtësi të jashtëzakonshme në dy automobila na nisën për Korçë, ku u bashkuem me fuqinë e gjithë Qarkut të Korçës; në ora 9 të natës allafrânga u mbushën 10 automobila me gjindarmë dhe na nisën në drejtim të Elbasanit, e në të dalë drita mbrritëm (në) Elbasan ku ish bashkue edhe fuqija e atij Qarku e mbasi na ndanë në kompani, na nisën në 20 automobila në drejtim për Durrës, ku mbrritëm në ora nji mbasdite.
E tue ndejtë në nji shesh pranë ku ishin ma parë shkollat e gjindarmëris, në kohë mbrâmje fluturuen në atmosferë përmbi nesh dy skuadra aeroplanësh, por shkakun e tyne se përse nuk na dhanë dijeni eprorët tonë.
Dhe mbas akshamit, të tri kompanitë që ishna 350 shpirtë si dhe ato të Qarkut (të) Durrësit na shpërndanë nëpër pozicione, dmth., viseve për Qëndresë. Atëherë, vetvetiu u kuptue se konflikti qenka me Italinë, kurse eprorët akoma nuk na jepshin hollsina mbi çeshtjen.
Unë isha në kompaninë e tretë dhe togë e tretë dhe se me skuadrën e dytë me zanë vend pranë Agiptit (Depos benzinës) rreth detit ku isha vetë i njimbëdhjeti si dhe skuadra e parë rreth qytetit dhe e treta te Ura e Dajlanit; dhe kshtu po bëjmë vëzhgimet e hapsinës detit, kurse në ora 2 mbasmesnate, u ndigjue qi deti ushtonte tmerrisht pse vijshin flotat italiane, ku vinte tue zmadhue ushtima e detit edhe prej së largu në hapsinën e detit dukeshin dritat e flotave sikur yjt e qiellit, të cilat ishin ma se 25 flota ku dukeshin grykat e topave të tmerrueshëm.
***
Dhe si u afruen n buzë të detit dhe u rreshtuen flotat, në agim të dritës ora 5 e 30 allafrânga të datës 7 prill 1939, filloi lufta egërsisht, mirpo nji toger ushtrije, i cili ish togkomandant, pra sa filloi lufta, iku me dy skuadrat, të parën e të tretën tue na u largue me kta edhe disa gjindarmë të skuadrës t’ime, ku unë, simbas urdhnit që mvesh ushtarakun, mbajta vendin e caktuem pranë Agiptit (Depos benzinës) vetë i gjashti aty ku isha urdhnue.
Si vazhduem për qëndresën mâ se dy orë, kur po merret Durrsi u bombardue prej flotave italiane tmerrisht aq qi u errësue dhe u mbulue djelli nga tymi i gjyleve. Në ket kohë fatkeqësisht më plasi nji predhë (gjyle) topi afër tue na flakrue katër-pesë metra n’ajër e tue u plagosë lehtë në dy kambët e dorën e djathtë si edhe piklim ftyrës e tronditja gjithë gjymtyrës trupore, qi aty kam mbetë i tronditun ma tepër se 15 minuta, si edhe plumbat e mitralozit vijshin si breshën, po nuk pashë damtim prej ktyne vetëm katër plumba më ranë në kapotë që kisha veshun dhe nji m’i ra pushkës afër rezës bajonetës tue m’i prishë pak drunin.
Mbasi u përmenda ku kisha mbetë, pashë shokët qi më ishin largue, u ngrita, mora pushkën dhe u nisa barkas rrethit rrugës dhe i zuna shokët tek Posta e Dajlanit, aty pak sa me pushue ju mbështetëm Postës e menjiherë na i ranë Postës me top dhe e shkatrroi krejt. Qi aty m’u plagos pak edhe nji gjindarm tue i ra nji copë gjyle në kambën e djathtë; edhe kshtu posa u përhap tymi i gjyles qi shkatrroi Postën, menjiherë vrapuem dhe ju mbështetëm ballit të Urës Dajlanit dhe tue na pa qi ishim mbas ksaj na i ranë 6 herë me top urës tue i këputë nji kambë çimentoje. Edhe ktu si u përhap tymi me shum mundim kemi kalue urën e hymë majtas fushës tue ndjekë viset e buta qi të moskërcasin gjylet, dhe me qëllim të mos na bombardojshin aeoroplanët qi na kishin mbulue përsipër ma se dyqind si edhe plumbat vijshin si breshni.
Shokët kaluen Rrashbullin, unë u ndalova në ecje pse zunë me m’u ftohë plagët si dhe më kapi etja. Kshtu, tue u përpjekë me ecë nga pak më panë dhe shtinë edhe katër herë me top, unë rashë barkas afër nji ligate (kënetë) e tri gjyle më kaluen mi krye, e katërta plasi në afërsi përpara edhe më mbuloi gati krejt me dhè tue ma shtypë gjithë trupin.
Si dola te Posta e Rrashbullit aty gjeta nji gjindarm qi m’priste, bashkë me ket hymë në Postë e pimë ujë, e kur duelëm në derë desh na zuni Posta ndër tâ, sepse e shkatrruen me top nga deti.
Shkuem deri në nji farë vendi djathtas, pranë rrugës në fushë janë do baraka ushtarake e disa ushtarë hipshin në nji automobil, por me kto edhe na deri në Rreth-Komandën e Shijakut. Aty gjetëm Rreth-komandantin me dy gjindarmë. Mora bukë edhe 158 fishekë mbasi më ishin mbarue në vijë të luftës, prej 200 copë më kishin mbetë vetëm 36 e bashkë me rreth-komandantin dhe gjindarmët u nisëm në të djathtë të Shijakut e hymë në mal në nji ullishtë se gjoja (të) vijshim nga Tirana. Mirpo, mbasi ndejtëm aty ma se dy orë unë u ligshtova tepër edhe ata u larguen e më lanë vetëm. Edhe unë mbas pak kohe u nisa zhagas dhe rashë në rrugën e madhe, aty mbeta krejt, s’mund eca, por ma vonë erdhi maqina e spitalit ushtarak të Tiranës për të marrë të plagosunit. Më gjetën në rrugë dhe më vunë në maqinë, më dërguen në Tiranë, e dorzova armatimin në Komandën e P. Gjindarmarisë dhe më shtruen në spital, ora 3 mbasdite, të datës 7 prill.
Me 20, po prill, dola nga spitali, qi me 21 (i) hipa aeroplanit dhe erdha në shtëpi me nji muej leje shëndetsije…
Mund të jetë një imazh i ditar dhe teksti