AKTUALITETPOLITIKË

Ritvana Mena: Legalistët antikomunistë ishin dhe mbeten bijtë më të ndershëm të këtij kombi

Mesazh nga intelektualja zogiste znj Ritvana Mena drejtuar pjesmarrësve të pranishëm në në Qytetin e Shkodrës me rastin e projektit kombëtar “Kthim tek Rrënjët-Kujtojmë dhe Vlerësojmë”!

Inderuar Lartësia Juaj, Princ Leka,
I nderuar Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Shpëtim Axhami,
I nderuar z. Ted Kopliku,
Të dashur familjarë të legalistëve të dekoruar,
Të dashur mbretërorë, miq dhe të pranishëm,
Sot jemi mbledhur këtu me nderim të thellë për të kujtuar bijtë më të mirë të Shqipërisë, ata legalistë që u vranë, u burgosën dhe u përsekutuan gjatë viteve të errëta të diktaturës komuniste. Ata që zgjodhën dinjitetin përpara frikës dhe atdheun përpara jetës së tyre.


Në këtë ditë nderimi dhe kujtese kur historia jonë kombëtare merr frymë me dinjitet dhe drejtësi. me këtë akt fisnik të Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe të Lartësisë së Tij, Princ Leka II, ne u rikthejmë vendin e merituar në histori burrave që nuk u përkulën para diktaturës, por mbetën të patundur në besimin e tyre ndaj Shqipërisë, lirisë dhe Mbretit.
Legalistët antikomunistë ishin dhe mbeten bijtë më të ndershëm të këtij kombi, ata që zgjodhën rrugën më të vështirë, por më të drejtë, ata që nuk tradhtuan kurrë parimet mbi të cilat ngrihet një komb i vërtetë: nderi, besimi në Zot dhe dashuria për Atdheun.
Dekoratat që jepen sot nuk janë thjesht medalje; ato janë shenjë mirënjohjeje dhe himn për integritetin njerëzor. Me këtë akt, Familja Mbretërore dëshmon se vlerat e Legalitetit si dinjiteti, liria dhe përkushtimi ndaj kombit , janë sot po aq të gjalla sa në ditët e sakrificës.
Në emër të të gjithë atyre që nuk janë më, dhe në emër të brezave që trashëgojnë idealin e tyre, shprehim respektin dhe mirënjohjen më të thellë.
Sot, kujtesa jonë bëhet urë mes të kaluarës dhe të ardhmes, mes dhimbjes dhe shpresës.
Le të jetojë kujtimi i tyre, le të ndriçojë shembulli i tyre, dhe le ta ndërtojmë Shqipërinë me dinjitetin legalist dhe antikomunist, për të cilin ata jetuan.

Atdheu mbi të gjitha!
Lavdi legalistëve antikomunistë!
Rroftë Shqipëria Etnike!