REPORTAZH

Shqipëria po plaket, por vendi mbetet jomiqësor ndaj moshës së tretë

Në qytetin bregdetar të Durrësit – ngjashëm me shumë qytete të tjera të vendit, hapësirat ku pensionistët shpenzojnë kohën e tyre mbeten jashtë vëmendjes së autoriteteve vendore.

Qindra  në  nuk kanë mundësi çlodhjeje dhe argëtimi, ndërsa ata vetë ndeshen me probleme të mbijetesës financiare.

Shumica e të moshuarve të qytetit mblidhen çdo ditë në lulishten para godinës së Postës, aty ku disa dekada më parë ngrihej merkato e vjetër e qytetit bregdetar.

Në pranverë gjelbërimi e mbulon hapësirën, por aktualisht mungon shumica e stolave të lulishtes.

“Këtu duhet të sjellësh gjithçka me vete, nga gurët e shahut e deri te stolat për tu ulur,” tha Sami Veliu për BIRN.

Ai shtoi se që kur ka ardhur nga Skrapari në Durrës – para 20 vjetësh, në këtë lulishte e kalon kohën.

“Pensionin e kam të ulët dhe nuk ma mban të hyj e të shpenzoj në kafene”, shtoi ai.

Rrugicat e lulishtes pas orës 9 të mëngjesit mbushen me të paktën 10-12 grupe burrash që luajnë domino, shah apo me letra. Sipas Samiut mjaft prej tyre dalin edhe pasditeve.

“Janë më shumë se 50 – 60 vetë, që të gjithë të moshuar, të cilët e kanë gjetur si kalim kohe këtë vend,” tha ai.

“Por fatkeqësisht, jo vetëm që nuk ka një vend të mbuluar për stinën e dimrit, por edhe një banjo mungon – shtoi Sami Veliu, i cili është shumë kritik me institucionet vendore.

Sipas Samiut,  mund të krijojë edhe një strukturë prej druri, si ajo që ka ndërtuar prej kohësh  në breg të liqenit për pensionistët e tij.

Jo të gjithë gjejnë mundësinë për të luajtur, dhe tifozët janë më të shumtë pranë tabelave të shahut, ku gara e përditshme është edhe më e fortë.

Shumica ulen në bordurat e çimentos, me nga një copë kartoni nën vete.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, , mosha mediane në  u rri nga 33-vjeç në vitin 2011, në 38-vjeç në vitin 2022. Por ndërsa vendi po plaket, strukturat e pushtetit vendor vazhdojnë ti kushtojnë pak vëmendje hapësirave rekreative për moshën e tretë.

Lulishtja para Postës është i vetmi vend ku mblidhen pensionistët durrsakë.

Tre kilometra më tej, në lagjen 18 në  ndodhet një banesë 1-katëshe, e ndërtuar ngjitur me kanalin e ujërave të larta.

Një sallë e madhe, me sipërfaqe gati 80 metra katrore është thuajse e braktisur, por edhe këtu të moshuarit nuk mungojnë.

Ata luajnë të gjithë në prag të banesës, së cilës i mungon porta kryesore.

“Ka më shumë se tre vjet që ne i nxjerrim tavolinat jashtë, pasi na thanë se ndërtesa është privatizuar,” tha për BIRN Myslim Abazaj.

“Kemi biseduar edhe me drejtuesit e bashkisë për pronësinë e saj, por askush nuk na thotë diçka të saktë,” shtoi xhaxha Myslimi.

Kjo banesë është ngritur 10 vjet më parë, dhe që nga dita e parë shfrytëzohet vetëm nga të moshuarit.

Në faqen e internetit të bashkisë, jepet informacion për Qendrën Ditore të të Moshuarve brenda në qytet, ndërsa mungojnë të dhënat për godinën që ndodhet përballë shkollës 9-vjeçare “Naim Babameto” në Spitallë.

Edhe në godinën e Spitallës mungon instalimi i ujit, e njëlloj nuk ka as banjo. Të moshuarit për nevojat e tyre detyrohen të shkojnë në lokalet pranë apo edhe në shtëpi, kur ato nuk janë larg.

Pensionistët janë të shqetësuar për të ardhmen e Qendrës, ku ata mblidhen prej vitesh.

“Spitalla është e mbushur me familje që erdhën pas viteve ’90 nga zonat rurale të vendit, dhe të ardhurat nga pensionet i kemi mjaft të të ulta,” tha Nazmiu, i cili ka jetuar më parë në .

“Kur kemi një vend se ku të mblidhemi gjatë ditës, familjarët tonë janë shumë më qetë”, shtoi 76-vjeçari.

Në anën tjetër të qytetit, në lagjen nr 1, Dilaver Barushi, i ka shfrytëzuar ditët e para të diellit në det.

Me Xhinën, qenushin e tij të pandarë, ai e ka gjetur bregdetin si vendin më të mirë për të kaluar kohën.

Telashi i vetëm i Kavijes, siç e thërrasin miqtë, është vendosja e çadrës.

“Plazhi publik, ku laheshim prej disa vitesh u zu nga dikush tjetër, dhe ne nga halli kemi zënë vend në shkallët e Sfinksit,” tha për BIRN Dilaver Barushi.

“Këtu luajmë tavëll e shah, e po ashtu këtu hyjmë në ujë për të notuar,” shtoi ai.

Të moshuarit, që vijnë me biçikleta edhe nga lagje të tjera të qytetit bregdetar, e ndjejnë vehten me fat që kanë ujin pranë.

Sidoqoftë, nëse do të kishim plazhin publik, do të shfrytëzonim edhe rërën, thonë ata.

“‘Sfinksi’ është i gjithi prej çimentoje dhe nuk rrimë dot rehat,” përfundoi Dilaver Barushi.