Si të projektosh e menaxhosh një ferr urban në Tiranë?
Në gusht 2023, ju bashkova një grupi artistësh në një ecje përreth territorit të Bashkisë së Tiranës, përgjatë të ashtuquajturit “Pyll Orbital”. Pylli Orbital, i shpallur si “një kufi natyror ndaj zgjerimit urban”, ishte një nga pikat kryesore propagandistike të shitjes në publik të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës “TR030”, hartuar në vitin 2016 nga Stefano Boeri, arkitekt italian dhe ish-kandidat për kryebashkiak të Milanos.
Por edhe pse ecëm disa ditë rresht përqark Tiranës—nga Kodra e Diellit në Linzë, mes fushave të Kasharit, gjatë Lumit të Tiranës e Liqenit të Farkës—nuk gjetëm asnjë gjurmë të kësaj zone të gjelbër. Ajo çfarë pamë nga pika të ndryshme përqark qytetit: një shtresë e trashë tymi, gazrash makine dhe pluhuri nga ndërtimet që mbyste banorët e Tiranës në mes të një verë torturuese jashtëzakonisht të nxehtë.
Si mund të ndodhë që një qytet i planifikuar për të qenë “i qëndrueshëm”, “i aksesueshëm”, “krijues”, “inteligjent” dhe me “biodivesitet” të kthehet në një kantjer gjigand ndërtimi në gjendje thuajse të përhershme infarkti trafiku?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të kthehemi në kohën pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, kur qeveria e Edi Ramës kërkoi të zbatonte të ashtuquajturën “Reformë Territoriale”, e cila përfshinte hartimin e planeve të përgjithshme vendore për të gjitha bashkitë e vendit. Për secilën bashki, përfshi Tiranën, ku Erjon Veliaj sapo ishte zgjedhur kryetar, u hapën procedura tenderimi ndërkombëtar. Edhe pse teorikisht konkuruese, fituesit e këtyre tenderave ishin më së shumti të paravendosur, sikurse ma konfirmoi Stefano Boeri në një takim në Hotel Rogener mëngjesin para se ai të paraqiste planin e tij para komisionit qeveritar të tenderit. Boeri më tha qartë dhe thjesht: “Ma ka kërkuar personalisht Edi Rama që të merrja pjesë. Jemi mirëkuptuar që studioja ime do të fitojë”.
Boeri e paraqiti me sukses vizionin e tij për Tiranën, i cili ishte bashkëhartuar me studiot UNLAB dhe IND. Pas një serie konsultimesh të dështuara publike, të mbajtura në shkelje të shumë ligjeve, plani u miratua nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Zbatimi i tij filloi menjëherë, në vitin 2017.
Plani TR030 përfshin 13 projekte strategjike të cilat do ta kthejnë Tiranën, brenda vitit 2030, në një “model europian për bashkëjetesën jo-antropocentrike mes njerëzve, kafshëve dhe natyrës”. Dueht shumë kohë të diskutohet secili nga projektet strategjike më vete, por në përgjithësi ato mund të grupohen në dy kategori të gjëra. Kategoria e parë përmbledh projektet që kanë synim shtimin e hapësirave të gjelbërta, si brenda ashtu edhe përqark qytetit, përfshi ndërtimin e “Pyllit Orbital”; një unaze të dytë dhe një të katërt, të dyja të gjelbërta; të “Parkut Botëror”; dhe të tri korridore të gjelbërta përgjatë lumenjve. Kategoria e dytë përfshin projektet që kanë si komponent kryesor ndërtimin: pesë “zona transformimi” shtesë (përfshi “oazin natyror” të Farkës) dhe një rrjet shkollash ndërtuar përmes partneritetit publiko-privat.
Sot jemi në mes të mandatit të tretë të Kryebashkiakut Veliaj dhe në mes të afatit të zbatimit të planit TR030 (2017-2030). Vlerësuar në bazë të objektivave të përcaktuar në plan, grupi i parë i projekteve strategjike ka dështuar plotësisht, kurse grupi i dytë i projekteve ka lulëzuar përtej çdo përfytyrimi.
Pyllit Orbital nuk i gjendet asnjë gjurmë. Pavarësisht fotografive të përvitshme të kryebashkiakut Veliaj me lopatën në dorë, 2 milionë pemët e premtuara nuk janë mbjellë. Një raport i vitit të shkuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) arriti në përfundimin se mungesa e buxhetit, tokës dhe pronësisë ka çuar në “një nivel të ulët të zbatimit” të këtij objektivi. Unazat e gjelbëra (e dyta dhe e katërta), të cilat do krijonin hapësirë lëvizjeje për këmbësorët, çiklistët dhe për një tramvaj, nuk janë realizuar. Po ashtu nuk është realizuar as Parku Botëror i planifikuar përgjatë zgjatimit verior të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Po ashtu korridoret natyrore përgjatë tre lumenjve—Tirana, Lana dhe Erzeni—nuk janë krijuar në asnjë lloj kuptimi. Përkundrazi, KLSH arrin në përfundimin:
“Mjedisi po degradon me shpejtësi, fakt që reflektohet në probleme të tilla si rrëshqitjet e dheut, përkeqësimi i cilësisë së ujit, ndotja e ajrit, zhurmat, problemet e menaxhimit të mbetjeve, etj.
Shkaku i kësaj gjëme mjedisore është “zhvillimi i pakontrolluar urban”. Vetëm në muajin tetor 2023, u miratuan 12 kulla të reja në qendër të Tiranës. Kjo na çon në grupin e dytë të projekteve strategjike të planit TR030. Si zhvillimi i pesë zonave të reja “të transformimit” (në total 57 hektarë) ashtu edhe ndërtimi i rrjetit të shkollave të reja publike janë bazuar mbi të njëjtin parim: shpronësimi i pasurive private ekzistuese dhe privatizimi i pasurive publike për të ndërtuar mbi to me anë të skemës së partneritetit publiko-privat (njohur gjithashtu si konçesione).
Partneritetet publiko-private janë një mënyrë e kushtueshme dhe joefikase e menaxhimit të investimeve publike, përderisa në thelb ato praktikisht subvencionojnë kompanitë private të marrin hua bankare me interesa ndjeshëm më të larta se huatë që mund të merrte vetë qeveria.
Përfitimi për qeverinë në këtë skemë është se “investimi” nuk llogaritet si borxh publik duke e mbajtur kështu artificialisht të ulët nivelin e borxhit publik, ndërsa përfitimi për privatin është se qeveria merr përsipër të gjitha rreziqet e investimit duke i lënë atij vetëm përfitimet.
Këto zona transformimi të përcaktuara në planin TR030 të Boerit, plotësuar me dhjetë “epiqendra dinamike” zhvillimi të riklasifikuara edhe ato si zona transformimi (të tilla si zona e Bllokut) janë bërë shtrati për shpërthimin masiv të ndërtimit në Tiranë.
Urbanizimi intensiv i qytetit ka qenë në mënyrë marramëndëse fitimprurës për vetë projektuesin. Menjëherë pas miratimit të planit TR030, Boeri nisi një fushatë reklamimi për të lëvduar vlerat e planit, duke shpallur e “gati një shekull më pas, janë përsëri italianët që po e projektojnë Tiranën”.
Më pas, Bashkia Tiranë porositi rizhvillimin e zonës buzë Lanës, në pjesën lindore të saj, me zhvillues privat dhe projektues Stefano Boerin. Gjithashtu, bashkia pajtoi sërish Boerin për projektimin e tre shkollave që do ndërtoheshin me partneritet publiko-privat midis bashkisë dhe kompanisë Agikons. Ndërkohë, ndërtues që siguruan leje në zonat më të lakmuara të planit pajtuan gjithashtu Boerin si arkitekt: Invest Society për dy ndërtesa, The Cube dhe West Residence, në zonën e Bllokut, ndërsa Gener 2 për “Pyllin Vertikal” ngjitur me Stadiumin Air Albania.
Kjo na kthen tek pyetja fillestare: si mund të ndodhë që një plan i projektuar për ta kthyer Tiranën në një “kopsht ballkanik” e ka kthyer atë në një ferr ku të shurdhojnë zhurmat dhe të mbyt pluhuri i kullave? Përgjigjja është në motivet e drejtpërdrejta ekonomike të atyre që janë përgjegjës për zbatimin e tij.
Ndryshe nga zonat e transformimit, asnjë nga komponentët e gjelbër të planit TR030 nuk ka nga pas ndonjë model fitimi—nuk mund të bëhen para nga parqet, pyjet apo brezat e gjelbër. Ndërtimi i kullave nga ana tjetër kënaq çdo dëshirë për fitim e pasurim.
Së pari, Bashkia Tiranë nxjerr të ardhura me lejet e ndërtimit që ajo lëshon, duke taksuar 8 përqind të vlerës së ndërtimit çdo leje ndërtimi. Këto të ardhura janë kthyer në një shtyllë të rëndësishme të buxhetit të bashkisë, që nga koha kur dyshja Rama-Veliaj kanë në dorë të gjitha lejet e ndërtimit të Tiranës. Në vitin 2022, Tirana vendosi një rekord të ri të për lejet e ndërtimit: lëshoi leje për 1,8 milionë metër katrorë ndërtime të reja. Pa këto projekte Bashkia Tiranë do të falimentonte.
Nga ana tjetër, për shumë individë dhe kompani ndërtimi në Tiranë është një mënyrë e volitshme për pastrimin e parave.
Një raport i vitit 2020 i Nismës Globale Kundër Krimit Transkombëtar vlerësoi se, në periudhën 2017-2019, në Shqipëri u pastruan rreth 1,6 miliardë dollarë amerikanë përmes pasurive të patundshme (ndërtim dhe shitje).
Pra, si bashkia ashtu edhe kompanitë e ndërtimit kanë motive të forta për të mbajtur të ndezur makinerinë e ndërtimit.
Së dyti, koncesionet dhe strukturat e ndërlikuara të tenderimit të shumë projekteve publike të rizhvillimit për “zonat e transformimit” dhe shkollat publike krijojnë mundësi të mëdha për korruptim dhe vetë-përfitim, sikurse është bërë tashmë e qartë nga skandali i drejtorëve të Bashkisë Tiranë. Në një rast, Kompania 5D, në pronësi të disa drejtorëve të rëndësishëm të bashkisë, “fitoi” tenderin për rizhvillimin e zonës së transformimit në Kinostudio. Njësoj si për ndërtimet private, edhe në rastet e transformimit, përfitojnë si ata që drejtojnë bashkinë, ashtu edhe pronarët e kompanive private (shpesh të njëjtët persona).
Dhe e treta, projektet e rizhvillimit prodhojnë sasi masive mbetjesh ndërtimore ndërtimore, të cilat depozitohen në vendgropsojen e Sharrës. Edhe pse ky mund të mos duket një motivim i drejtpërdrejtë, kjo çështje u ngrit nga ish-zëvendës kryeministri dhe ish-ministri i financave Arben Ahmetaj në një intervistë televizive. Duke folur për koncesionin e inceneratorit të Sharrës, Ahmetaj bëri pyetjen kriptike:
“Kam një pyetje për SPAK-un: ku kanë shkuar 60 milionët? …Ku janë 60 milionë eurot, kush është pas tyre, kush ka dhënë garancinë….?”
Çfarë janë “60 milionë eurot” të cilave u referohet Ahmetaj? Janë paratë që kompanitë private të ndërtimit mendohet se kanë paguar deri tani për depozitimin e mbetjeve ndërtimore në vendgroposjen e Sharrës, mbetjet e grumbulluara nga qindra ndërtime me leje nga Bashkia Tiranë.
Para kontratës së koncesionit të Sharrës, e cila ju dha kompanisë guackë Integrated Energy BV SPV në gusht 2017, mbetjet ndërtimore menaxhoheshin nga vetë Bashkia Tiranë. Por me një marrëveshje ekstraligjore dhe pa asnjë transparencë, bashkia vendosi që Integrated Energy BV SPV të priste dhe menaxhonte mbetjet ndërtimore. Kjo marrëveshje lejoi që pagesat nga kompanitë ndërtimore të shkonin direkt në llogaritë e kompanisë Integrated Energy, jashtë çdo lloj mbikëqyrjeje apo auditimi publik. Mënyra se si u privatizua menaxhimi i mbetjeve ndërtimore ka mbetur ende e paqartë dhe duhet të hetohet.
Kur asetet e Integrated Energy BV SPV u sekuestruan nga shteti, vitin e shkuar, këto 60 milionë euro që arsyeshëm i përkasin taksapaguesve shqiptarë, nuk u gjetën në llogaritë e kompanisë dhe askund tjetër. Ku shkuan ato? Dhe a ishin vërtet vetëm 60 milionë euro apo më shumë? Si mund të matet sasia e mbetjeve ndërtimore që realisht janë depozituar në Sharrë nga kompanitë private pa patur asnjë mbikqyrje publike?
Opozita ka artikuluar një shpjegim të mundshëm se ku mund të kenë shkuar këto të ardhura që ka marrë Integrated Energy BV SPV në mënyrë të paligjshme. Opozita mendon se paratë i janë kthyer mbrapsht atyre që drejtojnë Bashkinë Tiranë dhe janë përdorur për të blerë vota, përmes sistemit të kushtueshëm të patronazhistëve, i ngritur nga Partia Socialiste. Si pjesë e këtij sistemi zyrtarët e Bashkisë Tiranë u caktuan dhe punuan si kordinatorë dhe menaxhere të fushatës së PS-së dhe Veliajt në Tiranë, që çoi në fitoren dërrmuese në 27 nga 27 njesitë përbërëse të Bashkisë Tiranë në zgjedhjet vendore të vitit 2023.
Këto para mund të jenë përdorur edhe për të paguar mediat, duke siguruar mbulim të pandërprerë pozitiv në të gjitha televizionet kryesore të projekteve dhe politikave ndërtimore të Bashkisë Tiranë, një praktikë e vazhdueshme televizive gjatë gjithë kohës së drejtimit të saj nga Erion Veliaj.
Pikërisht ky sistem përfitimesh dhe pagesash të paligjshme ka bërë të mundur që cikli i vazhdueshëm dhe i pandërprerë i shembjeve dhe ndërtimeve, i lejeve të paligjshme, i koncesioneve të dyshimta dhe keqmenaxhimit të plehrave të mos përshkruhet në publik ashtu siç është: një kancer në trupin e qytetit, i cili dalëngadalë po i vret banorët e tij, dhe që duhet të luftohet urgjentisht me hapësira të gjelbëra dhe ligje për kufizimin e ndërtimeve.
Paraja që ky proces prodhon në çdo hallkë të tij është një element thelbësor i mbajtjes së kontrollit dhe pushtetit mbi qytetin dhe qytetarët e tij. Ndotja nuk është një defekt i sistemit, por është komponenti thelbësor i sistemit.
Marrë nga Exit News