Sot 101 vite më parë! Triumf i Legalitetit
“TRIUMFI I LEGALITETIT”
24 Dhjetor 1924, sot 101 vite më parë!
Kur në Shqipëri demokracia triumfoi mbi dhunën dhe Perëndimi mbi bolshevizmin!
“Triumfi i Legalitetit” mbetet dita e fitores së demokracisë ku legjitimoteti i pushtetit të votës fitoj mbi përpjekjen për marrjen e pushtetit me dhunë.
Kjo datë historike dëshmon qartë se vizioni politik i Ahmet Zogut dhe i klasës politike që ai kryesonte ishte thellësisht pro perëndimor, demokratik dhe kundër bolshevizmit lindor rus.
Për vlerat dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që mbart, kjo ditë duhet të vlerësohet dhe të trajtohet drejt nga historiografia shqiptare si një datë themelore e nisjes së krijimit të shtetit modern shqiptar, si Dita e Parë e Demokracisë.
Gjatë muajve nëntor–dhjetor 1923 u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, nga të cilat Partia Popullore, e kryesuar nga Ahmet Zogu, fitoi shumicën e votave duke krijuar një koalicion shumice parlamentare dhe duke marrë legjitimitetin për drejtimin e vendit.
Megjithatë, pas trazirave të qëllimshme dhe të nxitura artificialisht, qarqe të caktuara me frymë bolshevike të etura për pushtet, të cilët vota popullore i kishte lënë në opozitë, organizuan grushtin e shtetit të qershorit 1924, duke rrëzuar rendin kushtetues.
Më 10 qershor 1924, grushti i shteti arriti të rrëzoi me dhunë qeverinë legjitime të Iliaz Vrionit. Për të shmangur një konflikt të armatosur vëllavrasës, Ahmet Zogu largohet në mërgim për gjashtë muaj, duke vendosur interesin kombëtar mbi ambicien personale.
Në Shqipëri u formua një qeveri pa bazë legjitimiteti demokratik, e dalë përmes shortit parlamentar. Kjo qeveri nuk u njoh nga Lidhja e Kombeve dhe nga asnjë fuqi perëndimore, duke arritur të vendoste marrëdhënie vetëm me qeverinë bolshevike sovjetike.
Mosnjohja ndërkombëtare erdhi si pasojë e mënyrës së dhunshme të ardhjes në pushtet, e reformave radikale e antidemokratike jashtë realitetit shqiptar të kohës, si dhe e konceptimit bolshevik të funksionimit të shtetit.
Vendit iu imponua një gjendje kaosi, pasigurie dhe dhune politike, e cila u pa dhe u ndëshkua nga Perëndimi si një devijim i rrezikshëm nga parimet demokratike.
Duke parë se fatet e Shqipërisë ishin seriozisht të rrezikuara, burri i shtetit Ahmet Zogu, në mënyrën më legjitime dhe me mbështetjen e Britanisë së Madhe, Italisë dhe Austrisë, u rikthye më 24 dhjetor 1924 në atdhe. Ky rikthim ndodhi pa rezistencë, në mënyrë paqësore dhe me mbështetjen e shumicës së shqiptarëve.
Rikthimi i Ahmet Zogut, i njohur dhe i mbështetur nga fuqitë kryesore perëndimore, mundësoi rivendosjen e qeverisë legjitime të Iliaz Vrionit dhe rikthimin e rendit kushtetues.
Kjo ditë hyn në histori si “Triumfi i Legalitetit”, momenti nga ku nis ndërtimi i shtetit të parë modern shqiptar dhe zbatimi real i vendimeve të Kongresit të Lushnjës, nën drejtimin e Ahmet Zogut, fillimisht si Kryeministër, më pas President dhe në fund Mbret i Shqiptarëve duke penguar gjithashtu instalimin e komunizmit në Shqipëri deri në vitin 1944.
Po ashtu, “Triumfi i Legalitetit” krijoi kushtet që Shqipëria të shpallej Mbretëri në mënyrë legjitime, ashtu siç ishte parashikuar që në Aktin e Pavarësisë dhe në vendimet e Kongresit të Lushnjës.
Në këtë datë ka fillesën edhe kauza programore e Partisë Lëvizja e Legalitetit, e kristalizuar më tej në nëntor 1943 me krijimin e OKLL-së, në momentet kur Shqipërisë i rrezikohej gjithçka.
Prandaj ne, legalistët zogistë, jemi krenarë për këtë datë historike, e cila përbën një gur themeli të demokracisë shqiptare dhe të funksionimit të institucioneve kushtetuese.
Këto janë arsyet pse jo vetëm legalistët, por të gjithë shqiptarët, duhet ta përkujtojnë këtë datë me nder, reflektim dhe përgjegjësi historike.
Partia Lëvizja e Legalitetit, besnike ndaj trashëgimisë së saj, vijon misionin programor duke e konsideruar funksionimin e demokracisë sipas frymës së “Triumfit të Legalitetit” si themelin e kauzës sonë politike.
Rroftë dita e “TRIUMFIT TË LEGALITETIT”! 🇦🇱
