AKTUALITETPOLITIKË

Sot mbushen 14 vjet pa Mbretin Leka I.

Një jetë në shërbim të Kombit!
Sot mbushen 14 vjet pa Mbretin Leka I.

“PAQE, BASHKIM, VLLAZËRIM”
Mbreti Leka I

Nga Kryetar i PLL
Shpëtim Axhami

Mbreti Leka I, burrështetas, diplomat e politikan i rrallë, gjithë potencialin dhe energjinë e Tij, me ndjenjë të thellë atdhedashurie, i vuri në shërbim të lirisë së popullit shqiptar dhe çështjes kombëtare.

Dy ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 5 prill 1939, lindi biri dhe trashëgimtari i NMT Zogut I dhe i MS Mbretëreshës Geraldinë: Leka I.
Lufta e Dytë Botërore dhe vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri detyruan, ashtu si shumë familje të tjera mbretërore europiane, edhe Familjen Mbretërore Shqiptare, së bashku me trashëgimtarin e saj, të vendosej jashtë atdheut.

Mbreti Leka e nisi arsimin në Aleksandri, në Victoria College dhe British Boys School.
Në vitin 1955, kur Familja Mbretërore ndodhej në Francë, Ai vijoi studimet në “Shkollën e Shqiponjave” në Zvicër.
Gjatë viteve 1956–1959 ndoqi Akademinë Ushtarake Mbretërore në Londër, ndërsa më pas kreu studimet për Shkenca Politike dhe Ekonomike në Universitetin e Sorbonës në Paris.
Zotëronte pesë gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe arabisht. I arsimuar e i kulturuar, Ai ishte shndërruar tashmë në një potencial kombëtar me peshë.

Më 5 prill 1957, në ditëlindjen e 18-të të Princit Leka, Mbreti Zog I e shpalli atë trashëgimtar të Kurorës Mbretërore, në një ceremoni ku morën pjesë shumë figura të shquara atdhetare.

Pas ndarjes nga jeta të Mbretit Zog në Paris, më 9 prill 1961, dhe sipas Statutit Themeltar, më 15 prill 1961, brenda afatit kushtetues, Leka I bëri betimin para një asambleje përfaqësuese të shqiptarëve në mërgim, duke përsëritur fjalë për fjalë formulën e parashikuar në Kushtetutë:

“Unë, Leka I, Mbreti i Shqiptarëve…
…kam me veprue pikërisht mbas Statutit dhe ligjvet në fuqi, tue pasun parasysh gjithmonë të mirën e popullit.
Perëndia më ndihmoftë.”

Në mesazhin e parë drejtuar popullit shqiptar, më 28 nëntor 1961, Mbreti Leka theksonte:

“Nuk duhet të dëshpërohemi… Vendi ynë, shpejt ose vonë, do të gjejë vendin e merituar mes kombeve të lira dhe demokratike… Ju ftoj në bashkëpunim vëllazëror, duke lënë mënjanë ndryshimet ideologjike, sepse kjo rrugë është e vetmja për të mbrojtur me sukses interesat dhe të drejtat tona kombëtare.”

Gjatë fundviteve ’60 ai vizitoi SHBA-në, ku u prit nga personalitete të larta, midis të cilëve Guvernatori i Kalifornisë, Ronald Reagan, si dhe figura të shquara të komunitetit shqiptaro–amerikan.
Në vitin 1969 vizitoi Australinë, ku sërish u angazhua për çështjet kombëtare.

Kulmi i aktivitetit politik të mërgatës shqiptare nën udhëheqjen e tij u shënua në Konferencën e Madridit, në vitin 1972. Aty morën pjesë përfaqësues të diasporës nga e gjithë bota, organizata dhe shoqata patriotike, si OKLL, OBK, grupe intelektualësh, nacionalistësh e atdhetarësh.
Në këtë konferencë u vendos krijimi i Frontit Nacionalist Antikomunist kundër regjimit diktatorial të Tiranës dhe u aprovua ideja e luftës për një Shqipëri Etnike.
Mbreti Leka do të deklaronte:

“Kushtet e rrezikshme në të cilat ndodhet Atdheu dhe Kombi kërkojnë që mbarë emigracioni shqiptar të përmbushë misionin historik në mbrojtje të drejtave tona. Prandaj kërkohet bashkim.”

Në vitin 1975, me rastin e Konferencës së Helsinkit, Leka I i dërgoi një memorandum zyrtar pjesëmarrësve, duke paralajmëruar se shqiptarët nuk do të njihnin kurrë vendime që cenonin integritetin e tyre territorial.

Më 8 tetor 1975 u martua me Mbretëreshën Suzanë, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues nga të gjitha trevat etnike shqiptare dhe nga të gjitha besimet fetare. Nga kjo martesë lindi trashëgimtari, Princi Leka II, sot shpresë e shqiptarëve.

Në vijim, Mbreti Leka formoi Këshillin për Çlirimin e Shqipërisë Etnike dhe strukturat përkatëse për realizimin e këtij misioni.

Në qershor 1977, me rastin e Konferencës së Beogradit, deklaroi prerë:

“Nuk mund të ketë paqe dhe mirëkuptim në Ballkan pa njohur integritetin territorial të Shqipërisë me Kosovë dhe Çamëri.”

Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ai i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ku kërkonte dënimin e gjenocidit jugosllav dhe të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve.

Vitet ’90 Mbreti Leka i ndoqi me maturi, duke bërë thirrje për bashkim kombëtar dhe përmbysje të diktaturës komuniste. Ai parashikoi manipulimin e zgjedhjeve të vitit 1991.

Vizita e shkurtër në Tiranë në vitin 1993, pavarësisht keqkuptimeve që pasuan, mbetet një dëshmi e ndikimit të Tij dhe e frikës së disa aktorëve politikë nga kthimi i legjitimitetit të Kurorës.

Në referendumin e vitit 1997, Mbreti Leka zhvilloi një fushatë shembullore në të gjithë vendin, duke shkelur edhe në zona ku askush tjetër nuk kishte guxuar të hynte.
Pavarësisht shpalljes së rezultatit 34% nga KQZ, faktet treguan një manipulim të hapur, ndërsa katër nga nëntë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese votuan pro njohjes së këtij manipulimi.

Gjithsesi, mbajtja e referendumit pati rëndësi historike: shërbeu si valvul qetësuese në një shoqëri të traumatizuar, duke krijuar shpresë dhe pritshmëri për stabilitet e rend.

Në qershor të vitit 2002, me kërkesën e 76 deputetëve të Kuvendit, Familja Mbretërore u rikthye në Atdhe dhe mijëra qytetarë i organizuan një pritje madhështore.

Në vitin 2005, i vetëdijshëm për dështimet e klasës politike pas viteve ’90, Mbreti Leka propozoi krijimin e një koalicioni të ri me intelektualë, nacionalistë e familje fisnike, një projekt i cili, po të kurorëzohej, do të kishte sjellë një shpresë të re për Shqipërinë.

Më 30 nëntor 2011, në shtetin amë, Mbreti Leka I u nda nga jeta.
Në ditën e zisë kombëtare, ceremonia mortore u zhvillua në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, ndërsa mijëra bashkatdhetarë nga të katër anët e botës e përcollën drejt banesës së fundit.

Ai u nis drejt përjetësisë duke mbetur një figurë e paharruar e kombit.

Këto rreshta përmbledhin vetëm një pjesë të vogël të veprës së madhe të Mbretit Leka I.
I paharruar kujtimi, lavdi jetës dhe misionit të Mbretit Leka I

“PAQE, BASHKIM, VLLAZËRIM”
Mbreti Leka I