U festua 100 vjetori i krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë por asnjë fjalë nuk u folë për themeluesit e saj
Ekrem Spahiu/ U festua 100 vjetori i krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë por asnjë fjalë nuk u folë për themeluesit e saj, Presidentin e Republikës së Shqipërisë – Ahmet Zogu dhe Ministrin e Financave – Mufid Libohova.

Banka Kombëtare e Shqipnis u krijua në bazë të Konventës që u lidh më 15 mars 1925. Bazat e marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe një grupi financiar italian u nënshkruan më 11 mars 1925, ndërmjet Mufid Libohovës – Ministër i Financave të Shqipërisë, i cili përfaqësonte shtetin shqiptar, nga njëra anë, dhe Grand Ufficciale Mario Albertit, nga ana tjetër, si përfaqësues i grupit financiar i rekomanduar nga qeveria italiane.
Konventa mori fuqi ligjore më 15 mars 1925, kur u nënshkrua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë – Ahmet Zogu.

Vlen të përmendet se Mario Alberti ishte personalitet i rëndësishëm i sferës financiare të Italisë. Ai ishte President i Bankës Credito Italiano dhe Ministër Shteti i Italisë, njëkohësisht përfaqësues i Romës në Komitetin Financiar të Lidhjes së Kombeve.
Me këtë marrëveshje grupi financiar italian merrte në koncesion krijimin e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri me emrin Banka Kombëtare e Shqypnis (BKSh).
