Nga gratë punëtore te gratë e lira, 25 imazhe në ekspozitë
Gruaja shqiptare në dy kohë vjen përmes një trajtese krejt të veçantë në ekspozitën “Gruaja horizont” çelur në galerinë e Tiranës. Portretizimit të metodës së realizmit socialist i pranëvihet gruaja e ditëve tona, që tashmë nuk e fsheh të bukurën. Kuratorja Jetona Koçibelli dhe artisti Ardian Isufi shpjeguan konceptin në një sallë me 25 imazhe ku mbi të gjitha është gruaja e lirë përkundruall imponimit artistik.
“Pëmes kësaj ekspozite shoshim kundërvënie dhe bashkëvënie të asaj që gruaja ka qenë e vazhdon të jetë. Ne e kemi nisur me gruan e thjeshtë që punon në fshat dhe më pas kemi vijuar me gruan partizane dhe kemi mbërritur pas 30 vitesh te gruaja nga aksioniste në aksionere, dhe kemi mbërritur te gruaja sipërmarrëse, te artistja e gazetarja”, tha Jetona Koçibelli.
Artisti Ardian Isufi, shtoi se shohim “Jo vetëm idenë e zonjave në një situatë postmoderne por si ato përballem me socrealizmin me një pjesë të diktaturës apo të asaj periudhe që ne kemi kaluar.
Ekspozita me gratë e sotme përballë tablove ikonike mund të vizitohet deri më 21 tetor.