KULTURË

Bujar Luca me ekspozitë retrospektivë: Veprat e refuzuara dhe herezia me Stalinin që më përjashtoi nga shkolla

Kur artisti Bujar Luca çelte në Paris pas ‘90-ës ekspozitën e tij të parë, me vepra që Tirana komuniste i kishte refuzuar, kritika franceze vinte në dukje se “këto piktura nuk kanë aspak të bëjnë me të ndjerin realizëm socialist”. Ismail Kadare shënonte asokohe, se Luca bënte pjesë në grupin e artistëve fatkeq dhe fatlum që kaloi nëpër ndalimet e diktaturës, e cila ndonëse e rrëzuar, rrezaton ankthet e saj. Vetë Luca tashmë vjen në COD (Qendra për Hapje e Dialog) me ekspozitën “Të prekësh të padukshmen- retrospektivë” dhe kujton kohët e vështira si student, kur për mungesë, letre kishte vizatuar në anën e pasme të letrës me figurën e Stalinit.

“Ndërkohë që komisioni e shihte, dikush mendoi që kjo letër kaq e mirë duhet parë, e kapi në dorë dhe kur e ktheu nga pas pa që ishte portreti i Stalinit. Kjo pa dyshim ishte një herezi e madhe në atë kohë, ishte mungesë respekti për figurën e Stalinit dhe komisioni më nxori nga salla dhe morën një masë të vështirë për mua se më përjashtuar për 1 vit nga diploma dhe Instituti i Lartë i Arteve”, tha Luca.

Retrospektiva shfaq 71 punime, vepra në vaj, vizatime me bojë kine dhe lapsa e vepra në akrilik. Ekspozita sjell për herë të parë edhe veprat e panjohura.

 

 

“Filloj me pikturat e mia të hershme nga universiteti ku unë studioja deri në vitin 1990 që është viti që ika në Francë. Kjo periudhë që ishte edhe periudha kur veprat më refuzoheshin, është brenda një salle të vogël intime, dhe spektatori mund të shohë veprat që më refuzoheshin në atë kohë dhe s’kam mundur t’i ekspozoj”, tregon Luca.

Pjesa tjetër e ekspozitës që do të jetë e hapur deri në fund të vitit, sjell vepra të kohëve të lira deri në vitin 2015 duke u endur në një udhëtim në krijimtarinë e autorit. Pos si piktor, ai njihet edhe si poet, me vargje që dokumentojnë izolimin, ankthin, e para ‘90-ës e shpresat pas saj.