EKONOMI

Turizmi, thika me dy presa për prodhimin vendas

Prodhimi vendas vitin e kaluar u shit me çmime të larta, pasi kërkesa nga hotelet dhe restorantet ishte jo e zakontë.

Çmimet e frutave dhe perimeve u rritën mbi 20% vitin e kaluar, duke bërë që në kulmin e prodhimeve ato të rriteshin, në vend që të uleshin.

Mirëpo me ikjen e turistëve, pas shtatorit 2023, prodhimet të cilat magazinoheshin për dimër ishin shitur tashmë dhe vendi nisi të furnizohet nga rajoni. importi i frutave u rrit edhe më shumë, për shkak të mungesës së prodhimit nga kushtet e motit. Pranvera e acartë dhe vera e nxehtë dëmtuan mollët e dimrit dhe pemët prodhuan shumë pak vitin e kaluar.

Mirëpo importet me çmime më të lira rrezikojnë dhe dekurajojnë bujqit shqiptarë. Drita, një blegtore në zonën e Zadrimës në Lezhë, po bëhet gati të shesë tufën e saj prej 200 delesh, pasi qumështi po shitet nën kosto. “Këto ditë baxhot po grumbullojnë me vetëm 110 lekë një kilogram qumësht dele nga 160 që ishte në fillim të janarit. Nëse e shes më pak se 150 lekë kilogramin, falimentoj”, tha Drita.

Shpenzimet e saj janë të larta, pasi përveç kujdesit për tufën, duhet të paguajë një qira vjetore prej 500 mijë lekësh për kullotat me qira. Në supermarket, prodhimi vendas i bulmetit po bëhet më i shtrenjtë se cilësia e parë e importit e për këtë arsye, konsumi i tij është ulur. Për mungesë të shitjeve, fabrikat po ushtrojnë presion për uljen e çmimeve te prodhuesit, të cilët në mungesë të subvencioneve e kanë të pamundur mbijetesën.

Pak a shumë ky fenomen po vihet re edhe për disa kultura të tjera. P.sh., fasulet e Korçës shiten gati 40% më shumë se importi, pasi kostot e prodhimit janë rritur që nga fara, krahu i punës dhe inputet e tjera. Mikel Plasa, i cili prodhon patate në Pojan të Korçës tha se, vitin e kaluar, çmimi i farës së patates u rrit duke bërë shumë kultivues të mos mbillnin aq sa kishin dëshirë.

Ai tha se importi po ushtron presion mbi çmimet, por patatet e vendit janë shumë cilësore dhe ka gjithmonë kërkesë. Një kilogram fare patate kushton nga 160 deri në 250 lekë për kilogram dhe kjo kërkon nga fermeri një angazhim të madh financiar fillestar.

Por Vasfi Sherifi, një grosist i madh i farës së patateve dhe qepujkave në Korçë, tha se këtë sezon, çmimet nuk kanë ndryshuar dhe po mbillet një sipërfaqe më e madhe me këto dy produkte që kanë shitur shumë këtë sezon. Mirëpo z. Sherifi thotë se nëse nuk do të ketë turistë rrezikohet të krijohet mbiprodhim në qepë dhe patate dhe të ketë humbje për fermerët.

Turizmi është një shans i mirë për bujqësinë nëse konsumi i tij lidhet me prodhimin vendas. Altin Prenga, i cili drejton njësinë më të madhe të agroturizmit në vend, thotë se oferta ushqimore ndaj turistëve duhet të jetë me prodhim vendas, pasi edhe kërkesa e tyre është e tillë.

Turistët, ndër të tjera, kërkojnë receta tradicionale të bazuara në prodhim vendas. Por është e qartë se me zhvillimet aktuale në bujqësi, prodhimet tona rrezikojnë të përmbushin kërkesën e turistëve, duke bërë që këta të fundit të bëhen shkak për rritjen e importeve.

Shqipëria nuk ka një konsum të shpërndarë në mënyrë të qëndrueshme në të gjithë muajt e vitit. Vitin e fundit pati një kërkesë jo të zakontë në tre muajt e verës për shkak të fluksit të lartë të turistëve. Pas festave të dhjetorit, në janar shitjet kanë prekur fundin. Administratorët e kompanisë “Erzeni” pohuan se çmimi i djathit të deles dhe dhisë është ulur me 18%, nën kosto, por sërish nuk ka shitje.

Vitin e kaluar, në pranverë, djathi kaçkavall i deles arriti në 1500 lekë për kilogram, nga 1350 që ishte më parë, ndërsa aktualisht gjendet me ulje në markete, edhe me 1200 lekë kilogrami. Në këtë periudhë çmimi ka rënë, pasi në vend është vetëm popullsia rezidente, e cila është në ulje në krahasim me 10 vite më parë nga emigracioni i lartë.

Sipas INSTAT, nga viti 2011-2022, kanë emigruar mbi 500 mijë njerëz. Përpunuesit e brumërave dhe importuesit e sheqerit kanë dhënë alarmin se konsumi në vend për këto dy produkte ka rënë si rrjedhojë e niveleve të larta të emigrimit të të rinjve që janë edhe konsumatorë të mëdhenj të këtyre produkteve.