KOSOVA

Dinari e çon Kosovën dhe Serbinë në Bruksel

Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi i radhës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë. Ndër temat që do të diskutohet do të jetë çështja e dinarit.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Bruksel sot në kuadër të dialogut për normalizim raportesh.

Pritet që lehtësuesit e dialogut, ndërmjetësuesit europianë, t’i takojnë ndaras delegacionet që do të udhëhiqen nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe Petar Petkoviqi si udhëheqës i delegacionit serb. Nuk dihet a do të ketë takim trepalësh.

Bashkimi Europian u shpreh se në këtë raund do të diskutohet për çështjen e dinarit serb, që është ndaluar për qarkullim ‘cash’ nëpërmjet rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Ditë më parë, emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, u shpreh se kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar pezullimin e rregullores së BQK-së.

Lidhur me ndalimin e dinarit serb të hënën ka folur edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Osmani tha se është domosdoshmëri që të arrihet një pajtim sa i përket zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, me të cilën ndalohet qarkullimi i dinarit.

Osmani para mediave ka thënë se për një pjesë të propozimit të emisarit amerikan Gabriel Escobar ka pajtueshmëri.

“Deri tani pajtim për një pjesë të propozimit, nga ajo që jam informuar deri tani, dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër të propozimit”, tha ajo.

Presidentja deklaroi se është shumë pozitive që ndërkombëtarët pajtohen të ketë ndalim të qarkullim të dinarit në Kosovë.

Ndërkaq, të hënën lidhur me dialogun Kosovë-Serbi është deklaruar përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ai ka folur sërish për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Ohër një vit më parë.

Borrell është shprehur se do të vazhdojnë me presionin ndaj të dyja palëve që kjo marrëveshje të zbatohet.

“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha po fluturon dhe tashmë është bërë një vit prej kur kishim arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të lëviznin përpara drejt normalizimit, për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Europian, Serbia dhe Kosova kanë arritur shumë pak progres”.

Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova e ndaloi përdorimin e kësaj valute më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Serbia këmbëngul se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa për Kosovën ajo është teknike dhe ka të bëjë me integritetin financiar të vendit.

Një takim për të u zhvillua edhe në fund të shkurtit, por pa ndonjë dakordim. Zyrtarët europianë thanë atëkohë se “shumë pyetje politike” për rregulloren e BQK-së mbeten pa përgjigje. Monitor.al