EKONOMI

Zonat malore mbeten pa mullinj të bluarjes së drithërave

Për bujqit e zonave malore, prodhues të grurit në sasi vetëkonsumi, veprimtaria e tyre është e lidhur ngushtë me mullisët e bluarjes. Pasja e një mulliri në fshat ka kontribuar ndër vite në shtimin e sipërfaqeve të mbjella me grurë për popullatën vendase.

Por shpopullimi i zonave malore ka sjellë që disa fshatra të largëta të mbeten pa mullinj për bluajtjen e grurit. Astrita Sillo, banore në një nga fshatrat e Mokrës së Sipërme, pohon se prej dy muajsh në fshat nuk ka mullisë për bluarjen e grurit, nga dy prej tyre që ishin në të kaluarën.

“Mullisët e zonës kanë emigruar drejt zonave urbane. Prej dy muajsh, bukën e gatuajmë me miell të blerë, pasi edhe një mullis që kishte mbetur u largua në qytet.

Mulliri më i afërt ndodhet në fshatin Pirg të Korçës. E kemi të pamundur ta çojmë grurin atje, pasi nuk kemi si e transportojmë”. Ajo thotë se çdo vit, mbjellin 5 dynymë grurë për konsumin e familjes.

Tradita e vjetër e bluarjes së drithërave në mullinj ka ndihmuar shumë prodhues të vegjël, si për depozitimin e produktit, por edhe për shtimin e të mbjellave.

Në shumë raste, popullsia e zonave malore që ushqehet me grurin e prodhuar e dorëzojnë te mullinjtë, në këmbim të produkteve finale, si miell apo hime që më pas i tërhiqnin sipas dinamikës kohore të konsumit.

 

Gruri hiqet nga skema e subvencioneve direkte

Për shkak të rritjes së lartë të çmimit të drithërave, vitin e kaluar, në tregjet e huaja të ndikuara nga lufta Rusi-Ukrainë, Ministria e Bujqësisë nxiti fermerët me subvencione direkte, në vlerën e 30 mijë lekëve për hektar për shtimin e sipërfaqeve të mbjella.

Kujtojmë gjithashtu se në kulmin e krizës së çmimeve, qeveria hoqi tërësisht lehtësitë fiskale për sektorin në fillim të vitit 2020, duke sjellë për pasojë që shumë fermerë të braktisin tokat, për shkak të kostove të larta të lëndëve të para.

Heqja e skemës së TVSH-së së rimbursueshme, apo edhe rikthimi i TVSH tek inputet bujqësore (prej vitit 2018, TVSH tek inputet bujqësore ishte zero) u zëvendësuan me skemat e subvencioneve direkte.

Kjo mbështetje rrezikohej të kthehej në bumerang, pasi çmimi i grurit në bursat e huaja filloi uljen e çmimit nën koston e prodhimit, ndërsa prodhimi i vjetshëm ende ka mbetur pa shitur.

Sivjet, me skemën kombëtare të mbështetjes së fermerëve, kultura e grurit nuk është përfshirë në dhënien e subvencioneve direkte për fermerët kultivues.

Pas heqjes së subvencioneve për grurin, për herë të parë, në subvencione direkte me vlerë 30,000 lekë për të mbjella deri në 1 ha do të mbështeten kultivuesit e bimëve mjekësore.

Drithërat si gruri, misri, elbi do të vijojnë të mbështeten me skemën e naftës pa akcizë.

Pritet rënie e të mbjellave edhe me misër

Pas datës 15 prill, nis sezoni i mbjelljes së misrit. Për shkak të mungesës së tregut të shitjes, fermerët parashikohet të reduktojnë edhe të mbjellat me misër.

“Edhe për misrin është e njëjta situatë si për grurin, sasia e pashitur është e lartë. Për këtë arsye, sivjet me fillimin e sezonit të prodhimit pritet që të mbjellat me misër në zonën e Korçës të jenë 10 deri në 15% më pak krahasuar me vjet”, pohon Vasfi Sherifi, përfaqësues nga AGROVAS-SHE, kompania prodhuese dhe tregtuese për fara, fidanë dhe inpute bujqësore në fshatin Pojan të Korçës.

Brikel Plasa, nga fshati Pojan, thotë se krahasuar me vitin e kaluar, për këtë vit parashikon 50% më pak të mbjella të sipërfaqes së tokës. Arsyeja është mungesa e tregut për këtë produkt.

Çmimi i misrit në treg është 23 deri në 25 lekë/kg nga 43 lekë për kg që ishte vjet. “Çmimi aktual është nën kostot e prodhimit. Humbjet janë të larta sidomos te fermerët që paguajnë koston e punimit të misrit, naftën, magazinimit të produktit.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, sipërfaqja e tokës së mbjellë me misër ishte në 56,6 mijë ha. Krahasuar me 2021, sipërfaqja e tokës së mbjellë me misër ra rreth 3%.

Monitor.al