KOSOVA

Çmimet e naftës në Kosovë, shteti cakton marzhin tregtar për shumicën dhe pakicën

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë vendimin për caktimin e çmimit dhe masave të tjera mbrojtëse të produkteve të naftës. Ky vendim hyn në fuqi sot dhe mbetet në fuqi nëntëdhjetë (90) ditë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse.

MINT njofton se me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, MINT ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy euro centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë euro centë për litër.

“Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, MINT ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) euro centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) euro centë për litër”.

Në komunikatë thuhet se llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.

“Ky vendim hyn në fuqi sot ( 05.03.2024) dhe mbetet në fuqi nëntëdhjetë (90) ditë. Mbikëqyrja e zbatimit të këtij vendimi bëhet nga Inspektorati Qendror i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore”.

Me këtë rast, MINT njofton se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ditëve në vijim do të intensifikojë mbikëqyrjen e tregut edhe sa i takon cilësisë dhe sasisë së produkteve të naftës.

monitor.al