Propozimi i ekspertëve francezë: Mos u jepni smartphone fëmijëve deri 13 vjeç dhe t’u ndalohen rrjetet sociale deri në moshën 18 vjeç.
Fëmijët nuk duhet të lejohen të përdorin telefonat inteligjentë deri në moshën 13 vjeç dhe duhet t’u ndalohet qasja në mediat sociale konvencionale si TikTok, Instagram dhe Snapchat deri në moshën 18 vjeç. Ky është sugjerimi që kanë bërë në një raport, ekspertët e porositur nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Ai u kishte kërkuar shkencëtarëve dhe ekspertëve që të hartonin udhëzime për përdorimin e telefonave për fëmijët me qëllim që Franca të ndërmarrë hapa të paprecedentë për të kufizuar ekspozimin e tyre. Ende është e paqartë se çfarë do të bëjë tani qeveria franceze pas publikimit të raportit. Macron u shpreh në janar: “Mund të ketë ndalime. Mund të ketë kufizime”.
Raporti thekson se fëmijët duhet të mbrohen nga “strategjia e industrisë së teknologjisë për të tërhequr vëmendjen e tyre, duke përdorur të gjitha format e paragjykimeve njohëse për t’i mbyllur fëmijët në ekranet e tyre, për t’i kontrolluar ata, për t’i ri-angazhuar dhe për të fituar para”.
Fëmijët po bëheshin “mall” në këtë treg të ri të teknologjisë, thuhet në raport, duke shtuar: “Ne duam që [industria] të dijë se kemi parë atë që ata po bëjnë dhe nuk do t’i lejojmë ata t’i shpëtojnë”.
Një studim 3-mujor nga shkencëtarë dhe ekspertë të udhëhequr nga neurologia Servane Mouton dhe Amine Benyamina, drejtuese e shërbimit të psikiatrisë dhe varësisë në spitalin Paul-Brousse, tha se fëmijët nën 3 vjeç nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve – përfshirë televizorin – dhe asnjë fëmijë nuk duhet të ketë telefon para moshës 11 vjeçare.
Çdo telefon që i jepet një fëmije të moshës 11 deri në 13 vjeç duhet të jetë një celular pa akses në internet. Mosha minimale që telefoni i tyre të ketë internet është 13 vjeç. Raporti tha se një 15-vjeçar duhet të jetë në gjendje të aksesojë vetëm ato që i quajti media sociale “etike”, si Mastodon.
Mediat sociale konvencionale, të përhapura në masë dhe të drejtuara nga përfitimi, si TikTok, Instagram ose Snapchat, nuk duhet të jenë të disponueshme për adoleshentët derisa të mbushin 18 vjeç. Raporti thotë se adoleshentët duhet të marrin arsimim më të mirë mbi shkencën që qëndron pas nevojës për të fjetur mjaftueshëm.
Raporti bën rekomandime të rrepta për të rinjtë, duke thënë se telefonat dhe ekranet duhet të kufizohen sa më shumë që të jetë e mundur në maternitete për të ndihmuar prindërit të lidhen me foshnjat e tyre. Përdorimi i telefonit duhet të adresohet gjithashtu tek kujdestarët e fëmijëve.
Për fëmijët deri në moshën 6 vjeç, ekranet e të gjitha llojeve duhet të jenë “fort të kufizuara” dhe të përdoren shumë rrallë për përmbajtje edukative kur ulen me një të rritur. Ekranet duhet të ndalohen plotësisht në çerdhet për fëmijët nën 6 vjeç. Në shkollat fillore, fëmijëve nuk duhet t’u jepen tableta ose pajisje dixhitale individuale për të punuar, përveç rasteve kur bëhet fjalë për një paaftësi specifike.
Raporti sugjeron gjithashtu ndalimin e lojërave online, përveç atyre që përdoren si audio për tregime.
“Para moshës 6 vjeç, asnjë fëmijë nuk ka nevojë për një ekran për t’u zhvilluar. Ekranet mund t’i ndalojnë ata të zhvillohen siç duhet në këtë moshë”- tha Mouton.
Shkencëtarët thanë se nuk donin të qortonin prindërit, të cilët ishin vetë “viktima të një industrie të fuqishme teknologjike”. Ata thanë se prindërit duhet të ndihmohen për të shmangur atë që ata e quajnë “tekno-ferencë” kur prindërit që shohin vazhdimisht telefonat e tyre nuk përqendrohen në të biseduar, në ngrënie ose në lojëra me fëmijët e tyre.
Kjo dëmton zhvillimin emocional të të rinjve, thuhet në raport. Raporti u sugjeron të rriturve të mos përdorin telefonat e tyre teksa ushqejnë fëmijët e vegjël ose të lënë të ndezur në sfond vazhdimisht një televizor.
Shkencëtarët thanë se prindërit nuk duhet të fajësohen, por duhet bërë më shumë në shoqëri në tërësi. Sugjerohet lejimi i të rriturve që të shkëputen siç duhet nga puna jashtë orarit, kufizimi i ekraneve në vende publike, përdorimi i restoranteve dhe kafeneve pa internet ose prindërit të vendosin telefonat e tyre në një kuti kur kthehen nga puna.
Shkencëtarët thanë se “kontrolli prindëror” nuk duhet të shihet si një mjet i mjaftueshëm për mbrojtjen e fëmijëve. Përkundrazi, ai shihet si një shpërqendrim joefektiv, i hedhur nga industria e teknologjisë “për të hequr qafe veten” për krijimin e algoritmeve, veçanërisht brenda mediave sociale, të dizajnuara për të krijuar varësi dhe për të fituar para nga fëmijët.
Ekspertët thanë se ekranet kishin efekte negative te fëmijët “përsa i përket shikimit, metabolizmit, inteligjencës, përqendrimit dhe proceseve njohëse”. Sipas tyre, varësia ndaj ekraneve nuk ishte nga vetë produkti, por nga përmbajtja. Sipas raportit, njerëzit duhet të jenë vigjilentë në mediat sociale nëse vërejnë se përmbajtja po u krijonte varësi.
“Nëse vendosni të shikoni një ose dy video, por përfundoni që të kaloni të gjithë mbrëmjen para ekranit, duhet të filloni të mendoni” – thonë ekspertët francezë.