Histori

16-17 Nëntor 1946/ Kurthi i komunistëve për klerin françeskan në Shkodër

Në qytetin e Shkodrës, natën mes datave 16 dhe 17 nëntor 1946, oficerë dhe punonjës të seksionit të Sigurimit të Shtetit do të fusnin në Kuvendin Françeskan dhe Kishën e Shën Françeskut, armë dhe municione, të cilat do të zbuloheshin pak orë më vonë në mëngjes, nga po vetë ato. Gjithçka ishte përgatitur mirë edhe kësaj here. Nevojitej që kleri të diskreditohej përballë popullit. Kështu, gazeta “Koha e Re” e datës 19 nëntor 1946, hapet me një numër të posaçëm, duke propaganduar zbulimet e ndodhura së fundmi në Kuvendin dhe Kishën Françeskane. Po ashtu, të gjithë materialet e zbuluara do të filmoheshin nga kamera e një kameramani jugosllav, i cili gjendej në Shqipëri gjatë asaj periudhe, për të filmuar sukseset e shtetit shqiptar në luftën kundër tradhëtarëve. Françeskanët më në zë të Shqipërisë ishin të detyruar të pozonin me pushkë, mitroloza, municione etj, sikur të ishin zënë në flagrancë. Bashkë me akuzën e gjetjes së armëve dhe municioneve, shumë françeskanë u akuzuan edhe për ngjarje për të cilat nuk kishin aspak dijeni. E tillë ishte akuza për pjesëmarrje në Lëvizjen e Postribës, e cila kishte ndodhur dy muaj më parë.

Kështu, një tjetër dramë e përgjakshme po përvijohej. Nga e gjithë kjo histori, do të arrestoheshin dhe dënoheshin me vdekje: Monsinjor Frano Gjini, Monsinjor Nikollë Deda, Atë Çiprijan Nika, Atë Mati Prendushi; të dënuar me vdekje dhe kthim i dënimit në burgim të përjetshëm Atë Donat Kurti, Atë Pal Dodaj, Dom Tom Laca; dënuar me burg Atë Zef Pllumi dhe Atë Aleks Baqli, ky i fundit dëshmitari i vetëm okular që atë natë kishte parë se si shkuan me të vërtetë ngjarjet.

Ekzekutimet u kryen më 11 mars të vitit 1948, pas murit të varrezave të Rrmajit, në orën 5:00 të mëngjesit.

Marrë nga muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” kujto.al