Histori

E vërteta e Shën Naumit, larg shpifjeve të deri sotme.

E vërteta e Shën Naumit, larg shpifjeve të deri sotme.

Nga vetë Mehdi Beu diplomati që përfaqësonte Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve.
“Pse ia dhashë Shën-Naumin Serbisë”

Dëshmia e Mehdi Bej Frashërit, diplomatit që përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve për problemin e Shën-Naumit dhe Vermoshit:
“Po të peshohet Shën-Naumi me tokat që ne i morëm Jugosllavisë, avantaxhet janë shumë më të mëdha dhe ky solucjon ishte ma i favorshëm për Shqipninë. Me gjithë këtë t’arratisunit politik shqiptarë botonin të kundërtën, duke thanë se Mbreti Zog Shën-Naumin dhe Vermoshin ja la Serbisë, kjo është një rrenë kolosale”

E vërteta e Shën Naumit

“Kufitë e Shqipnisë me shtetet fqinje ishin caktue në Konferencën e Londrës në 1913 si mbas hartës të Shtat-Madhorisë Austriake. Kjo hartë nuk ishte një hartë topografike, por e hartueme me ekploracion. Vendimi i Konferencës së Londrës përsa i përkiste Shën-Naumit, thoshte: “Fillon në breg të liqenit Ohrit, midis katundit bullgar Rodohozhdë dhe katundit shqyptaro-myslyman që quhet Lin, dhe vazhdon gjer në Shën-Naum, pikërisht në gjuhën frëngjisht: “jusu’a Shën-Naum”, nuk thotë “y compris Shën Naaum”. Komisjoni i Kufinit kur vajti në Korçë, korçarët bënë një bujë të madhe pranë komisjonit që t’i caktohej Shqipërisë Shën-Naumi. Qeveria e Beligradit qe sa Konferenca e Londrës caktoi kufinin midis Shqipërisë dhe Serbisë, ju drejtue “ball Platz” it, dhe me një notë e pyeste qeverinë austriake se për shprehjen “jusqu’ a Shën-Naum” ç’ kuptonte. Ball-Platzi ishte gjegjë se me këtë shprehje nuk donte të thoshte që Shën-Naumi i përkiste Shqipërisë, do me thanë i përkiste Serbisë. Qeveria e Beligradit pyeste qeverinë austriake, pse kjo qeveri prekupohej më shumë se të tjerat për kufitë e Shqipërisë. Kur plasi lufta e përgjithshme Serbija u invadue dhe ushtria e saj me kralin në krye dhe qeverinë, me ndihmën e Esat Pashës, që atëhere ndodhej në Durrës, duelën në Adriatikun Meridional, ku e mor flota aleate dhe e zhkarkoj në Korfuz. Në këtë rrëmujë qeveria serbe e humbi dokumentin austriak që caktonte me fjalë të tjera Shën-Naumin Serbisë. Kur mbaroj lufta, Komisjoni i Kufive filloj veprimet e veta dhe ky komisjon vendosi që Shën-Naumi t’i mbetej Shqipërisë. Shën-Naumi ishte një i Shenjtë sllav, apostull i Kristianizmit midis popullit bullgar e serb, konsiderohej si shoku i Cirrillit, Metodit, që kishin kriju abetaren e bullgarëve, Në këtë kategori ishte dhe Shën-Klime, në emën të cilit ka një kishë bullgare. Në konsideratë të këtyre mbështetjeve kulturale dhe fetare, që Shën-Naumi ishte një Shenjtë sllav, kur i evakuoj viset e tjera të Shqipërisë si i kishte libri, ju drejtua Gjykatores Internationale të Hagës. Kjo Gjykatore vendosi: “Që me qenë se Komisjoni i Kufive ishte kopetent për demarkacjonin, Shën-Naumi duhej t’i jepet Shqipërisë. Mirpo Serbia si popull fanatik orthodoks sllav, as me një mënyrë nuk donte t’ja linte. Komisjoni i Kufive, Shqipërisë i këshilloj që Shën-Naumin, Shqipëria ta shkëmbente me një vend tjetër, pse serbët me këtë pretekst do të krijonin vështirsina të mëdha. Në bazë të këtyre konsideratave Qeveria Shqiptare më ngarkoi mua Mehdi Frashërin me caktue mënyrën e shkëmbimit. Unë nuk pashë posibilitete që Shën-Naumi të shkëmbehej me vende shqiptare , pse nga katundi Lin i Shqipërisë vazhdojshin katunde sllavo-bullgare. Me të tilla katunde me popullsi eterogjene, Shqipnia jo vetëm nuk forcohej, por përkundrazi dobsohej. Atëhere unë Mehdi Frashëri vendosa që Shën-Naumi t’i mbesë, me një periferi shumë të ngushtë Serbisë, por kufini në vend që të vazhdonte që nga kodra e Zagoriçanit gjer te Qafa e Plloçit, ku ndodheshin dy versante: versanti i Maliqit dhe Liqeni i Ohrit, vija e kufinit të hidhej ke Mali i Thatë, e të përfshinte katundin shqiptaro-orthodoks Pëshkupat.
Ky katund po t’i mbetej Serbisë, me kohë do të sllavizohe, m’anë tjetër gjithë Lugina e Cerovës, ku katundet shqiptare kishin tokat e tyre i mbeteshin Shqipërisë, përveç këtyre i mbeteshin, dhe një pjesë e madhe e kullotave verore Shqipërisë. Po të peshohet Shën-Naumi me këto avantaxhe që thamë më sipër, ky solucjon ishte më i favorshëm për Shqipninë. T’arratisunit politik nga injoranca e çështjes o qëllimisht, Shën-Naumin e përshkruajshin si një pikë strategjike me rëndësi, kurse invazioni sllav nuk shkonte nga Shën-Naumi, gjithmonë kishte vazhduar Qafën e Thanës.

Tash të vimë tek çështja e Vermoshit Konferenca e Londrës duke e përshkrue kufirin nordik shqiptar, thoshte : “Territori de Klemendi”, mirë-po me këtë shprehje shumë i pa-caktue nuk kuptohej Vermoshi, pse Klemendi përbahet nga 6 Bajrakët, të cilët kufizohen me vallatën e Lumit Cen, Vermoshi mbetej jashtë, si kullotë. Në kohën e Turqisë malazezët sulmojshin Vermoshin dhe malsorët shqiptarë e kundërshtojshin me armë. Qeveria otomane në një faqe të Luginës së Vermoshit, për të ndalue grindjet që thamë, kishte ba një karakoll tue vendos ushtri. Ujnat e Vermoshit vejnë në Danub e jo n’ Adriatik. Unë Mehdi Frashëri kur shkova në Vermosh, një mbrëmje mblodha bajraktarët shqiptarë të asaj xone dhe i pyeta se si mbas mendimit të tyne, qysh mund të provohej se Vermoshi asht shqiptar. Midis këtyre malsorëve ishte një far Uc Turku, i cili nga përpjekjet që kishte ba me kohë me malazezët ishte plagosë dhe kishte mbetë sakat, gjith-ashtu, në këto grindje të ma parëshme, të vramit shqiptarë kishin varre katolike në vend. Kur erdhi Komisjoni i Kufinit me pyet palët, malsorët t’onë me Uc Turkun dhanë arsyetimet që i kisha porositë unë, (Mehdi Frashëri) kurse, serbët, ndër të cilët një ishte avokat, njani oficer, dhe tjetri gazetar, dhanë argumentet qesharake, pa logjikë. Komisjoni vendosi në bazë të anketit, që Vermoshi t’i mbetej Shqipërisë.
Mbi këtë vendim, malsorët okupuan Luginën e Vermoshit dhe filluan të ngrehin shpija. Mbas disa kohësh atje u ngrehën 600 shpija shqiptare, duke prfitue nga qetësija që mbretënonte në Shqipninë e Lirë.”

Shkurt nga marrveshja në lidhje me Shën Naumin, Shqipëria përfitoj shumë toka dhe zona të banuara prej shqiptarëve të cilat i ishin lënë Serbisë, çdo argument tjetër mbi Shën Naumin është shpifje e kohës së regjimit komunist.