Histori

Si i ruante Ahmet Zogu monumentet me ligj, që në 1928.

“Gjithë sa ndërtesa e godina dhe anë e pjesë te tyne, gjithë sa sende, tesha e armë me vlerë ndo për kujtime historike, ndo për bukuri mjeshtërije dhe arti, qi ndodhen ose qi do të zbulohen psandaj në Shqipni, janë plangu i Kombit dhe shquhen si Monumente Kombëtare”.

Kështu thoshte dekret-ligji i vitit 1928 i firmosur nga Ahmet Zogu, vetëm dy muaj përpara se të shpallej Mbret. Zelli për të mbrojtur monumentet e kulturës është gati njëshekullor në Shqipëri, madje edhe i rregulluar me ligj. Me rastin Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, shpallur nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve dhe nga UNESCO, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar dje faksimilet e dekretligjit për Monumentet.

Bëhet fjalë për një nga ligjet e para për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, të dekretuar më 22 qershor 1928. Në pak faqe ligji përcakton se çfarë përfshihet te monumentet e kulturës, cili është institucioni përgjegjës për to, si duhej vepruar në rast të gërmimeve arkeologjike apo gjetjeve të rastësishme, si mund të shiteshin apo nxirreshin jashtë shtetit etj.

 

LIGJI

 

Pas përkufizimit të monumenteve të kulturës, ligji përshkruan çfarë objektesh përfshihet në to. Në këtë listë ndër të tjera thuhet se “Me emën Monumente Kombëtare për vlerë vjetërije ase mjeshtërije dallohen: Kështjella, murnija, troje ose ane dhe pjesë muresh dhe trojesh; Porta kështiellash dhe trojesh, ura portash, krahe portash dhe dritaresh dhe ç’do send tjetër qi u përket këtyne; Kisha dhe xhamia, manastire dhe teqe ose ane dhe pjesë të tyne; Tyrbe, varreza, vorre dhe gurë vorresh; Krahë dyersh dhe dritaresh, hekura dyersh e dritaresh, grilla dhe pjesë grillash të gurtë ose prej metali ose druri të kishave, xhamijave, manastireve, teqeve ose ndërtimeve t’jera qi janë plangu i përbashkët i komuniteteve fetare i bashkive dhe i shkollave…”.

Institucioni përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve ishte Ministria e Arsimit. “Ministrija e Arsimit ngarkohet me të ruajturit me të mbrojturit të Monumentavet Kombëtare të Shqipnis tur formue nden hijen e sajë nji Komision të përgjithshëm të Monumenteve Kombëtare me qendër në Tiranë”, thuhet në artikullin e tretë të dekret-ligjit. Me këtë dekretligj rregullohej edhe mënyra se si mund të shiteshin dhe nxirreshin jashtë Shqipërisë objekte të përfshira në listën e monumenteve të kulturës.

Në artikullin 5 thuhet se “Sende dhe tesha, libra të vjetra të shtypuna ose dorëshkrime të shqueme si Monumentë Kombëtare nuk mund të shiten për të dalë jashtë Shqipnie as të nxirren në dhe të huej prej të zotet në qofshin gjaja e vetve private, pa leje të Ministris s’Arsimit. Asnjë ndërhyrje, shembje apo edhe zbukurim nuk mund të bëhej pa lejen e Ministrisë. Por kjo e fundit i stimulonte qytetarët që të bashkëpunonin dhe raportonin gjetjet e objekteve me vlerë, duke i shpërblyer ata. Në artikullin 14 thuhej se “Kushdo që qëllon me gjet gurë të shkruem ose të tjera sende të vjetra e ka barë të lajmërojë sa kaq Ministrin e Arsimit.

Shpërblesa për të gjeturit ose të zbuluesit kusish sendesh asht gjysa e vleftës qi do t’i shenjojë nji Komisjon e formulen prej katër vetësh të zgjedhun për gjysmazi nga ana e Ministris së Arsimit dhe nga ana e të zot të sendit të gjetun”. Ligji u jepte përgjigje edhe atyre rasteve kur gjatë ndërtimeve haseshin rrënoja, një problem që edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet shqetësues. Rasti i Durrësit është ai më i freskëti. Në artikullin 15 thuhet se “Në qoftë se me të gërmuem për me shtie themele ndërtesash botore ose private, në të hapun trape dhe puse ose për çdo tjetër qëllim qoftë, takon të zbulohen sheja ose traga ndërtesash dhe godinash të hershme ose të dalin në dritë gurë të shkruem ose të punuem, duhet lajmëruar sakaq Ministrija e Arësimit e cila ndalon ç’do punë deri sa të bahen vëzhgimet e nevojshme nga ana e përfaqësuesve të sajë”.

Por kishte edhe dënime për ata që dëmtonin pasurinë kombëtare. “Kushdo qi në kundërshtim me dispozitat e kësaj ligje cenon vetë ose ndih tjetër që me cenue, ose ndo me veprën e vetë, ndo tue ndih tjetër, shkakton të zhduken sende dhe tesha të shqueme si Monumenta Kombëtare, gjykohet dhe dënohet si pas Kodit Penal”.

Forumi për Mbrojtje: Trashëgimia po degradon dita-ditës

Ndërsa Ministria e Kulturës dhe institucionet nëpër rrethe ekspozonin punën e bërë në mbrojtje të monumenteve, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, duke postuar disa fotografi shtëpish të shkatërruara në Gjirokastër, do të shprehej se “trashëgimia jonë kulturore po degradon përditë e më tepër”. “Sot është dita e Trashëgimisë Kulturore. Fatkeqësisht, trashëgimia jonë kulturore po degradon përditë e më tepër si në këto foto. Banesa Galanxhi, Monument i kategorisë së parë.

Lagje Hazmurat, Gjirokastër”, informon Forumi. “Gjirokastra më së pari duhet parë me vizion tjetër. Këto banesa, që ndoshta dikur mund të klasifikoheshin si krenari arkitektonike, sot kanë humbur jetën. Ato janë braktisur nga pronarët e tyre të ligjshëm. Dhe braktisja, largimi i jetës nga to, dora-dorës patjetër që sjell rrënimin. Këto banesa nuk mund të konservohen dhe ruhen të boshatisura, nuk do t’i vlenin të tilla, si muze, askujt. Nëse ato nuk jetohen, fati i tyre është rrënimi. Ndaj, ndërhyrja në to duhet të jetë komplekse jo thjesht një ndërhyrje fizike restauruese.

Mbase do t’ia vlente që Ministria e Kulturës të organizonte një debat për këtë temë, pikërisht atje, në vend, në Gjirokastër, me aktorët dhe të interesuarit. Pamjet që paraqesin këto foto dhe këto kronika janë vërtetë të tmerrshme. Por ky nuk është një shkatërrim i ndodhur në një ditë, apo në një mandat. Kjo është mënyra se si po rrënojmë vlerat, përditë, të gjithë së bashku. Jemi në limitet e emergjencës”, shkruan arkitekti Arben Biçoku.

Dita e Monumenteve, përkujtohet Viktori Pusanova

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me DRKK në të gjithë vendin organizuan aktivitete sensibilizuese në Durrës, Shkodër, Berat, Gjirokastër, Korçë, Elbasan etj. Ekspozita, vizita të organizuara, panaire etj. Dje, të gjitha sitet arkeologjike dhe monumentet ishin të hapura dhe mund të vizitoheshin falas nga publiku. Një nga këto aktivitete ishte edhe përkujtimi i studiueses Viktori Puzanova me rastin e 50-vjetorit të vdekjes.

Me këtë rast në Muzeun e Artit Mesjetar Korçë u zhvillua sesion shkencor, ku studiues dhe njohës të figurës së Puzanovës si Maks Velo, Suzana Varvarica, Edlira Çaushi, Lorenc Glozheni etj., folën për veprimtarinë dhe rëndësinë e punës së Pusanovës në Shqipëri, gruas që erdhi nga Rusia dhe themeloi seksionin e artit mesjetar në Shqipëri, që “zbuloi” Onufrin dhe u nda nga jeta pikërisht vitin e mbrapshtë të ndalimit të besimit fetar. Po ashtu, u realizua një ekspozitë, organizuar nga stafi i muzeut me veprat/riprodhime të Puzanovës, pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar Korçë

ALMA MILE