AKTUALITET

LËVIZJA E LEGALITETI, DËRGON PROPOZIMET E VETA NË KOMISIONIN PËR REFORMËN ZGJEDHORE

Reforma zgjedhore shoqëruar me ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor mbetet domosdoshmëri për të siguruar zgjedhje të lira e të barabarta duke i prerë rrugën çdo manipulimi si dhe ka ndodhur deri më sot.
Për PLL mbetet e rëndësishme që Reforma Zgjedhore të sjellë një Kod Zgjedhor afatgjatë, brenda starndateve demokratike, të barabartë për çdo subjekt dhe jo, si gjithmonë, një kod zgjedhor afatshkurtër, të kontestuar nga shumë palë e në interes të atyre që kënë forcën e kartonit dhe atë të nënshkrimit të këtij kodi.
Duke u nisur nga kjo Partia Lëvizja e Legalitetit i ka përcjellë Komisionit për Reformën Zgjedhore, Kuvendit të Shqipërisë propozimet e veta për tu pasqyruar brenda këtyre ndryshimeve.
Këto propozime po i përcjellim si më poshtë.

Nr 4/2024 prot Tiranë, më 24.01.2024

Partia Lëvizja e Legalitetit
Adresa: Rruga Muhamet Gjollesha, Tiranë

Drejtuar: Komisionit Për Reformën Zgjedhore, Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë.

Lënda: Parashtrim i kërkesave të Partisë
Lëvizja e Legalitetit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Të nderuar bashkëkryetar dhe anëtar të këtij komisioni!

Partia Lëvizja e Legalitetit vlerëson dhe e shikon si tepër të rëndësishme punën e këtij komisioni, për të mundësuar një Reformë Zgjedhore sa më të drejtë, duke siguruar zgjedhje të lira dhe një garë të barabartë për të gjitha subjektet zgjedhore.
Dy vendime të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese kanë dhënë orientime të qarta për amentimet e Kodit Zgjedhor, përfshirë rekomandimet e OSBE-ODHIR-it
E para është konfirmimi i votës së Diasporës dhe e dyta është heqja e Herësit nga përllogaritja e mandateve.
Prandaj çdo palë zgjedhje pa amenduar Kodin aktual zgjedhor do të prodhonte zgjedhje të paligjshme.

Duke Ju uruar suksese kundrejt një dakortësie me ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor në emër të Parisë Lëvizja e Legalitetit Ju shprehim mendimet dhe kërkesat tona për ndryshime si më poshtë:

1-Të përjashtohen ligjërisht nga çdo kandidim të gjitha ato persona që kanë qenë pjesë dhe bashkëpuntorë të ish-Sigurimit të shtetit, si dhe pjesë e nomeklaturës së lartë shtetërore dhe gjygjësor lidhur drejtpërdrejtë me dënimet politike përgjatë kohës së diktaturës.

2-Në lidhje me sistemin zgjedhor!
Të kalohet nga një sistem proporcional rajonal i mbyllur me 12 rajone në një Sistem Proporcional Kombëtar me një zonë/rajon unik, ku vota e një qytetari në Kukës ose Vlorë të jetë e barabartë dhe të peshojë njësoj me votën e një qytetari në Tiranë, Durrës, Elbasan, etj. Ky sistem i ri do të krijojë hapësira për përfaqësim sa më të drejtë në Kuvend, duke u dhënë shans të gjithë subjekteve politikë të kapërcejnë një prag të pranueshëm elektoral, për përfaqësimin e tyre.

3-Kërkohet hapja e listave
Listat e hapura janë rikthimi i normalitetit në hallkën e zinxhirit zgjedhor.
Është anormalitet Kushtetues që një i zgjedhur të jetë deputet me 2 mijë vota dhe një kandidat me 9 mijë vota në nivel qarku të jetë jashtë Kuvendit. Lista të hapura, pa kufizime, pa artifica, pa herës. Kush merr më shumë vota futet në parlament dhe përfaqëson me dinjitet qytetarët që e kanë votuar.

4-Kërkojmë Votim të Diasporës nga aty ku sot ata janë rezident të përhershëm ose të përkoshëm (3 muaj), dhe përfaqësim të tyre nëpërmjet kësaj vote. Sot diaspora përfaqëson një numër shumë të madh shqiptarësh, një potencial njerëzor intelektual dhe ekonomik për vendin.
Prandaj e shikojmë si tepër të domosdoshme mundësimin e votës së tyre nga aty ku ata sot jonë rezident të përhershëm ose të përkohshëm, si dhe është tepër e domosdoshme përfaqësimi tyre nëpërmjet kësaj vote.

5-Votim dhe numërim elektronik!
Votimi dhe numërimi elektronik është garantues i një proçesi të shpejtë, efikas dhe të pakundërshtueshëm. Kjo do të bënte që të hiqej çdo hije dyshimi për manipulim nëpërmjet Komisioneve të Numërimit (gjë e cila është ngritur gjithmonë si shqetësim për tjetësimin e votës në zgjedhje) gjithashtu kjo mënyrë votimi dhe numërimi përshpejton proçesin.

6-E drejta e regjistrimit të një subjekti zgjedhor ( parti politike) për marrjen pjesë në zgjedhje të mos kushtëzohet me grumbullimin e një
numri të madh firmash, kjo për ne deri sot e qëllimshme, përbën thjeshtë harxhim kohe dhe është jashtë çdo rregulli demokratik.

7-Të rikthehet e drejta e koalicioneve me lista të veçanta!
Çdo subjekt zgjedhor, përfaqësues në një koalicion të mundshëm, të ketë të drejtën e paraqitjes e listës së vet me kandidatët e propozuar nga vetë subjekti dhe kjo listë apo regjistrim jo detyrimisht me numër të plotë kandidatësh.

8-Anëtarët e KZAZ, QV dhe ato të QNV të jenë persona të depolitizuar, propozuar dhe caktuar nga KQZ dhe jo propozuara nga partitë politike.

Faleminderit për bashkëpunimin

Partia Lëvizja e Legalitetit
Kryetar
Shpëtim Axhami