Spiunët e sigurimit/ Nga Leka Bungo te Frrok Çupi dhe Shpëtim Nazarko
CNA dërgon kërkesën e dytë pranë Autoritetit të Dosjeve në lidhje me bashkëpunëtorët e sigurimit.
Bëhet shumë zhurmë dhe së fundmi Parlamenti ka filluar sërish të sjellë në vëmendje hapjen e dosjeve, por ato asnjëherë nuk janë hapur vërtetë.
Në datën 6 dhjetor të 2022-shit, CNA kërkoi hapjen e dosjeve për 7 personazhe, mes të cilëve politikanë dhe njerëz të medias.
Konkretisht CNA kërkoi hapjen e dosjeve për ish-presidentin Ilir Metaj, ministrin e Brendshëm, Blendi Çuçi, kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, gazetarin Blendi Fevziu, opinionistin Fahri Balliu dhe opinionistin Artan Hoxha.
Në fakt, Autoriteti i Dosjeve tha se dosjet nuk janë hapur. Edhe pse janë personazhe publikë, ju nuk merrni të dhëna.
CNA i ka dërguar së fundmi një shkresë tjetër Autoritetit të Dosjeve, në lidhje me disa personazhe publikë, njerëz të botës së medias, por edhe në drejtim.
Në krye të listës qëndron Leka Bungo, i cili është kreu i këshillit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar. Pyetja për Autoritetin e Dosjeve është e thjeshtë, a ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit? A ka qenë spiun Leka Bungo?
Nuk mundet dhe nuk duhet të ekzistojë në institucione në drejtimin e tyre, qoftë edhe në moshën kur duhet të qëndrojnë me bebelina, personazhe, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Dhe për këtë shteti duhet që dosjet t’i hapë menjëherë sapo ata marrin detyrën.
Më poshtë janë edhe disa personazhe të tjera, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, gazetarë dhe njerëz të jetës publike.
Shpëtim Nazarko është një nga emrat, gazetar dhe analist. Frrok Çupi dhe Fatos Lubonja gjithashtu. Njëherë e mirë shqiptarët duhet të dinë kush janë këta personazhe që “shqyejnë” ekranet apo shkojnë dhe menaxhojnë edhe mediat, bëjnë dhe burrin e ndershëm.
Mjafton Autoriteti i Dosjeve të na thotë të vërtetën. Kanë qenë ose jo bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit Leka Bungo në krye të listës e të tjerë me radhë pas tij. I pari i strehuar në një ent shtetëror, të tjerët shëtitës në ekranet publike duke iu bërë moral shqiptarëve, pa lënë mënjanë këtu edhe Pirro Mishën, i cili është një personazh publik dhe drejtues i Bibilotekës Kombëtare.
Kërkesa e plotë:
DREJTUAR: AUTORITETIT PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT
TIRANË
KËRKESË PËR INFORMIM
Lënda: Kërkohet informacion zyrtar për figura publike
Baza ligjore: Pika 1.1 e nenit 20 të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar;
Neni 11 i Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
Ligji nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i ndryshuar i ka njohur së fundi të drejtën çdo personi që “të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit” (pika 1.1 e nenit 20).
CNA Media, ku bën pjesë City News Albania bën pjesë në mediat që kanë ndjekur dhe kanë përcjellë nga afër zhvillimet në procesin legjislativ të fushës dhe ka qenë promotore e lëvizjes për hapjen e dosjeve. CNA Media beson se tek aplikimi i pikës 1.1 të nenit 20 të ligjit qendron forca publike e tij. E drejta e publikut për t’u informuar për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit përbën conditio sine qua non që shoqëria shqiptare të përballet seriozisht me të shkuarën diktatoriale, të përpunojë si duhet trashëgiminë e hidhur dhe të shërojë me sukses plagët e persekutimit.
Transparanca e dosjeve ka forcën të qetësojë shpirtin e shoqërisë, sikurse ka forcën të na ndërgjegjësjë, të na bëjë vigjilentë dhe të na ndriçojë. Mbajtja mbyllur e dosjeve dhe, aq më keq, zbulimi selektiv dhe keqpërdorimi i tyre kanë forcën të vonojnë paqen sociale, të thellojnë dasitë, të mbjellin konflikte dhe hasmëri.
CNA Media kërkon të vërë në provë vullnetin instutucional të Autoritetit të Dosjeve për t’i shërbyer me besnikëri dhe në përputhje me qëllimin e Ligjvënësit dispozitës së pikës 1.1 të nenit 20 të ligjit nr.45/2015, duke parashtruar këtë kërkesë për informim, lidhur me të dhënat që Autoriteti i Dosjeve disponon për një numër figurash të spikatura nga sfera të ndryshme të jetës publike.
CNA Media ka përzgjedhur personalitetet e mëposhtme për të përfshirë në këtë kërkesë:
1. Z. Leka Bungo, kryetar i këshillit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, regjizor
2. Z. Shpëtim Nazarko, gazetar-opinionist
3. Z. Frrok Çupi, gazetar-opinionist
4. Z. Fatos Lubonja, gazetar-opinionist
5. Z. Pirro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Përzgjedhja e këtyre figurave publike për t’i përfshirë në këtë kërkesë nuk ka lidhje me faktin se për ndonjerin prej tyre mund të ketë pasur së fundmi debate/akuza publike për bashkëpunim të supozuar me ish Sigurimin e Shtetit. Përzgjedhja e tyre ka lidhje me pozicionin e spikatur shtetëror ose pozicionin e spikatur publik të tyre.
E drejta e publikut për t’u informuar rreth dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit ka kuptim dhe vlerë kur publiku informohet për figurat e spikatura publike, për ata që kanë mundësinë dhe fuqinë që të ndikojnë në formimin e vullnetit politik të shoqërisë, që janë modele sociale për grupe të mëdha shoqërore dhe që në një mënyrë ose një tjetër formojnë apo modifikojnë opinionet e njerëzve.
CNA Media e lë në çmimin e Autoritetit përzgjedhjen e formatit me të cilin do të na vërë në dispozicion informacionin e kërkuar. Nga ana jonë jemi të gatshëm të paraqitemi në çdo kohë pranë Autoritetit për t’u njohur me të dhënat që disponohen. Gjithësesi, sa i takon dokumentave preferenca jonë është që dokumentat relevante të na vihen në dispozicion minimalish në format elektronik.
Me besim të plotë në gadishmërinë e Autoritetit për të plotësuar në tërësinë e saj këtë kërkesë, mbetemi në pritje të komunikimit zyrtar nga ana Juaj./ CNA.al