POLITIKË

Dekretohet ligji i ri për komisionet hetimore, vazhdon izolimi i opozitës!

Ky dekretim u bë pavarsisht kritikave dhe apelit të opozitës se ky ligj bllokonte të drejtën e saj kushtetuese për kontroll parlamentar.

Në reagimin e shpërndarë për mediat nga Presidenca konstatohet se “ligji nuk mund të quhet antikushtetues”.
Dekreti i presidentit Begaj vjen pas përplasjeve disamujore në Parlament, për shkak se mazhoranca rrëzoi disa kërkesa të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, hyrja e ligjit në fuqi “minonte dialogun politik”.
Por, presidenca sqaron se ligjet shpallen pas verifikimit të kushtetuetshmërisë së dispozitave të reja dhe të procedurës së miratimit të tyre dhe se ky kontroll nuk verifikon asnjë aspekt me përmbajtje politike të ligjit.
Presidenti pranon se ka pritur negociata dhe bashkëpunim politik në periudhën 20 ditore të afatit për shpalljen e ligjit dhe se e ka ftuar “eksponentët më të zëshëm të opozitës që të kërkonin kompromisin me shumicën parlamentare” për ligjin.

Komisionet hetimore janë bërë shkak për nisjen e një proteste gati 3 mujore të opozitës duke bllokuar komisionet parlamentare dhe seancat plenare të Kuvendit. Që pas komisionit të bujshëm për aferën e inceneratorëve që përfundoi punimet në mars 2022, mazhoranca ka refuzuar çdo kërkesë tjetër të opozitës, duke mohuar një të drejtë kushtetuese të saj për të kontrolluar qeverisjen.
Në një situatë të tensionuar politike, PS ndryshoi ligjin duke kufizuar të drejtën e opozitës për ngritjen e tyre dhe vendosi rregulla që i japin mundësi mazhorancës të kontrollojë vendimmarrjen për mbledhjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve.