Marrëveshja e Ohrit, 13 Gusht 2001, e cila solli kryeministrin e parë shqiptar në MV.
Përmbajtja e marrëveshjes kornizë për zgjidhjen e situatës politike e të sigurisë në Maqedoni, u nlnshlrua me 13 Gusht 2001, në gjuhën anglez.
E nënshkruan kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski,
lideri i PDSH Arbër Xhaferi dhe ai i PPD-së Imer Imeri.
Në dokument, nënshkrime si dëshmitarë zyrtar i vunë edhe lehtësuesit ndërkombëtar në dialog – Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.
Pikat në tekstin e ardhshëm i japin kornizën e harmonizuar për sigurimin e ardhmërisë demokracisë në Maqedoni dhe mundësimin e zhvillimit të marrëdhënieve më të afërta dhe më të integruara ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Bashkësisë Evroatlantike. Kjo marrëveshje kornizë do ta promovojë zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
1. Parimet themelore
1. Tërësisht dhe pa kusht hidhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë.
2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike.
3. Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike.
4. Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht.
5. Zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive.
2. Ndërprerja e armiqësive
1. Palët e theksojnë rëndësinë e angazhimeve të 5 korrikut 2001. Do të ketë ndërprerje të tërësishme të armiqësive, çarmatimin e tërësishëm vullnetar të grupeve të armatosura etnike shqiptare, dhe shpërndarjen e tyre të tërësishme vullnetare. Ata e pranojnë faktin se për marrjen e Vendimit nga ana e NATO-s që të ndihmojë në këtë kontekst do të nevojitet vendosja e ndërprerjes së përgjithshme, pa kushte dhe të pakufizuar të zjarrit, pëlqimin për zgjidhjen politike të problemeve të këtij vendi, angazhimin e qartë të grupeve të armatosura që vullnetarisht të çarmatosen, dhe pranimin e të gjitha palëve kontraktuese për kushtet dhe kufizimet, në kuadër të të cilëve do të veprojnë forcat e NATO-s.
3. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar
1. Do të miratohet Ligji i reviduar i pushtetit lokal, me të cilin do të forcohen autorizimet e përfaqësuesve të zgjedhur vendor dhe dukshëm do të rriten kompetencat e tyre në pajtim me Kushtetutën (sikurse janë ndryshimet në pajtim me Aneksin A) dhe Kartën evropiane të pushtetit lokal, me ç’rast do të shprehet parimi i organizimit vertikal, i cili momentalisht është në fuqi në Bashkimin Evropian. Kompetencat e shtuara, para së gjithash kanë të bëjnë me sferat e shërbimeve publike, urbanistike dhe planifikimin rural, me mbrojtjen e ambientit të jetesës, zhvillimin ekonomik lokal, kulturën, financat lokale, arsimimin, mbrojtjen sociale dhe shëndetësore. Do të miratohet Ligji për financimin e pushtetit vendor me qëllim që të sigurohet sistemi përkatës i financimit, për t’iu mundësuar autoriteteve vendore t’i plotësojnë të gjitha kompetencat e tyre.
2. Brenda një viti pas përfundimit të regjistrimit të ri, i cili nën mbikqyrjen ndërkombëtare do të zbatohet deri në mbarim të vitit 2001, do të revidohen kufijtë komunal. Revidimi i kufijve komunal do të zbatohet nga autoritetet lokale dhe nacionale, me pjesëmarrjen ndërkombëtare.
3. Me qëllim që të sigurohet se policia është e vetëdijshme dhe përgjegjëse për nevojat dhe interesat e popullatës lokale, kryeshefat lokal të policisë do t’i zgjedhin këshilltarët e komunave nga lista e kandidatëve, të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të njëjtit rregullisht do të komunikojnë me këshillat. Ministria e Punëve të Brendshme do ta mbajë autorizimin për shkarkimin e kryeshefave lokal të policisë në pajtim me ligjin.
4. Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë
1. Tërësisht do të respektohet parimi i mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë personave para ligjit. Ky parim do të aplikohet sidomos në raport me punësimet në administratën publike dhe në ndërmarrje publike, si dhe te qasja deri te financimi publik për zhvillimin e aktiviteteve afariste.
2. Në ligjet me të cilët rregullohen punësimet në administratën publike do të përmbahen masat me të cilat do të sigurohet përfaqësimi i drejtë i bashkësive në të gjitha organet qendrore dhe lokale publike dhe në të gjitha nivelet e punësimit në këto organe, duke respektuar njëkohësisht rregullat e kompetencës dhe integritetit, me të cilët udhëhiqet administrata publike. Autoritetet do të ndërmarrin aktivitet për ta korrigjuar mosekuilibrin ekzistues në përbërjen e administratës publike, sidomos përmes punësimit të pjesëtarëve të bashkësive me përfaqësim të pamjaftueshëm. Një vëmendje e posaçme do t’i kushtohet faktit që të sigurohet sa është e mundshme më shpejtë që shërbimet policore në përgjithësi ta shprehin përbërjen dhe shpërndarjen e popullatës së Maqedonisë, sikurse është theksuar në Aneksin C.
3. Për Gjykatën Kushtetuese 1/3 e gjykatësve do të zgjidhet nga kuvendi me shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve që do të përmbajë shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve të cilët pohojnë se i takojnë bashkësive që nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni. Kjo procedurë do të aplikohet edhe gjatë zgjedhjes së Avokatit Popullor dhe tre anëtarëve të këshillit gjyqësor.
5. Procedurat e posaçme kuvendore
1. Në nivelin qendror, amendamentet kushtetuese dhe Ligji i Pushtetit Lokal, nuk do të mund të miratohen pa shumicën kualifikuese të 2/3 të votave, në kuadër të asaj që duhet të ketë shumicën e votave të deputetëve të cilët pohojnë se iu takojnë bashkësive të cilët nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni.
2. Për nxjerrjen e ligjeve që drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e gjuhës, arsimit, dokumenteve personale dhe përdorimit të simboleve, si dhe të ligjeve për financim lokal, zgjedhjet vendore, për qytetin e Shkupit dhe për kufijtë komunal do të duhet të ekzistojë shumica e votave në kuadër të saj që duhet të ketë shumicën e votave të deputetëve të cilët pohojnë se iu takojnë bashkësive që nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni.
6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve
1. Lidhur me shkollimin fillor dhe të mesëm, mësimi do të zhvillohet në gjuhën amtare të nxënësve, e njëkohësisht në mbarë Maqedoninë do të aplikohen standardet e unifikuara për programet akademike.
2. Financimi nga shteti do të sigurohet për arsimimin sipëror në gjuhët të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës në Maqedoni, e në bazë të marrëveshjeve të posaçme.
3. Gjatë regjistrimit në universitetet shtetërore të studentëve të rinjë të cilët iu takojnë bashkësive që nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni do të aplikohet parimi i diskriminimit pozitiv, gjithnjë derisa regjistrimi nuk e shpreh si duhet përbërjen e popullatës në Maqedoni.
4. Në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase.
5. Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, po ashtu është gjuhë zyrtare, sikurse është arsyetuar këtu. Në organet e Republikës së Maqedonisë, cilado gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja mund të përdoret në pajtim me ligjin, sikurse është elaboruar më tej në aneksin B. Cilido person që jeton në njësinë e pushtetit vendor në të cilin të paktën 20 për qind e popullatës flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga maqedonishtja mund të përdorë cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyren rajonale të pushtetit qendror, kompetent për këtë komunë; zyra e tillë do të përgjigjet në atë gjuhë në mënyrë plotësuese në maqedonishte. Cilido person mund ta përdor cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyren kryesore të pushtetit qendror, e cila do t’i përgjigjet në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në maqedonisht.
6. Lidhur me pushtetin vendor në komunat ku bashkësia e caktuar përbën të paktën 20 për qind e popullatës së komunës, gjuha e asaj bashkësie do të përdoret si gjuhë zyrtare, në mënyrë plotësuese maqedonishtja. Në raport me gjuhët, të cilët flasin të paktën 20 për qind të popullës së komunës autoritetit lokale në mënyrë demokratike do të vendosin për përdorimin e saj në organet publike.
7. Në procedurat penale dhe qytetare gjyqësore të cilitdo nivel, personi i akuzuar ose cilado palë do të ketë të drejtë të përkthimit në shpenzim të shtetit të të gjitha procedurave, si dhe të dokumenteve në pajtim me dokumentet përkatëse të Këshillit të Evropës.
8. Cilat do dokumente personale të qytetarëve që flasin gjuhën zyrtare ndryshe nga maqedonishtja po ashtu do të lëshohen në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në gjuhën maqedonase në pajtim me ligjin.
7. Shprehja e identitetit
1. Lidhur me simbolet, pranë simbolit të Republikës së Maqedonisë, autoritetet vendore do ta kenë lirinë që në anën e parë të objekteve publike vendore të vendosin simbolet me të cilët shënohet identiteti i bashkësisë e cila është në shumicë në komunë, me respektimin e rregullave dhe zbatimeve ndërkombëtare.
8. Implementimi
1. Amendamentet kushtetuese të propozuara në Aneksin A, menjëherë do të prezentohen para kuvendit. Palët do t’i ndërmarrin të gjitha masat për ta siguruar miratimin e këtyre amendamenteve në periudhën prej 45 ditë pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshje Kornizë.
2. Miratimi i ndryshimeve në legjislacion, të përcaktuara në Aneksin B, do të jenë në pajtim me dinamikën e theksuar atje.
3. Palët i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar, që sa më shpejt ta thirrin konferencën e donatorëve në të cilën sidomos do të bisedohet për ndihmën makrofinanciare; përkrahjen e financimit të masave që do të ndërmerren për nevojat e implementimit të kësaj marrëveshje kornizë, duke përfshirë edhe masat e forcimit të pushtetit vendor; dhe revitalizimin dhe ndërtimin e rajoneve të goditura nga luftimet.
9. Anekset
Anekset vijuese janë pjesë përbërëse e kësaj Marrëveshje Kornizë.
A.Amendamentet kushtetuese
B.Ndryshimet në legjislacion
C.Implementimi dhe masat e ndërtimit të besimit
10. Dispozitat përfundimtare
1. Kjo marrëveshje hyn në fuqi me nënshkrimin e saj.
2. Verzioni në gjuhën angleze i kësaj marrëveshje është verzioni i vetëm autentik.
3. Kjo marrëveshje u zhvillua nën patronatin e kryetarit Boris Trajkovski.
Nënshkruar në Shkup – Maqedoni, më 13 gusht 2001 në gjuhën angleze. Pasojnë nënshkrimet e:
* Boris Trajkovski – kryetar i Republikës së Maqedonisë
* Lubço Georgievski – kryetar i qeverisë së RM dhe kryetar i VMRO-DPMNE
* Arbën Xhaferi – kryetar i PDSH-së
* Branko Cërvenkovski – kryetar i LSDM-së
* Imer Imeri – kryetar i PPD-së
Dëshmitarë:
* Fransoa Leotar – përfaqësues i posaçëm i BE
* Xhejms Perdju – përfaqësues i posaçëm i SHBA